Shkojnë për të pushuar në Golem, por bien pre e grabitësve. Kjo gjë u ka ndodhur disa pushuesve shqiptarë dhe të huaj, të cilët dy ditë më parë janë grabitur nga persona të panjohur në kohën që kanë qenë duke pushuar në dhomat e tyre që kishin marrë me qira për ditët e plazhit. Policia sqaron se ngjarjet janë shënuar në dy komplekse turistike në zonën e Golemit gjatë mbrëmjes së të shtunës.
Konkretisht, sipas të dhënave të uniformave blu, bëhet me dije se te kompleksi turistik “X..”, persona ende të paidentifikuar gjatë orëve të natës kanë arritur të grabisin 6 pushuesit e këtij kompleksi, të cilët edhe pse kanë qenë në banesë, nuk kanë mundur që të bëjnë dot gjë. Mësohet se pre e grabitësve kanë rënë pushuesit M.T. 47 vjeç, S.R. 55 vjeç, A.A. 35 vjeç, V.B. 57 vjeç, O.K. 24 vjeç dhe I.M. 55 vjeç, të cilët rezultojnë banues në Bosnjë Hercegovinë, Prishtinë, Korçë e Kosovë. Policia sqaron se grabitësit kanë shfrytëzuar faktin që pushuesit i kanë lënë dyert pa kyç, për shkak edhe të temperaturave shumë të larta, por edhe duke shfrytëzuar momentin që kanë qenë me pushime dhe pikërisht në momentin që kanë qenë duke fjetur, persona të panjohur kanë hyrë në banesat e tyre dhe u kanë marrë sende të ndryshme personale dhe të gjitha lekët që kanë pasur me vete.
Por, gjatë mbrëmjes së të shtunës është shënuar edhe një tjetër grabitje në zonën e Golemit, ku janë vjedhur pushuesit E.K., 61 vjeç dhe 25-vjeçari A.B., banues në Malishevë dhe Tiranë. Uniformat blu bëjnë me dije se pushuesve u kanë marrë afro 250 euro, 6060 lekë, 2 aparate telefoni, 2 letërnjoftime, 2 karta ‘Raiffaisen Bank’ dhe ‘Biznes BPB’, 10000 lekë. Ndërkohë, që duke parë skemën e grabitjes, mendohet se edhe në këtë rast është ndjekur e njëjta mënyrë. Pikërisht, për shkak të kësaj ngjashmërie, por edhe për shkak të zonave shumë të afërta ku kanë ndodhur grabitjet, policia dyshon se mund të jetë i njëjti grup që ka kryer të dyja grabitjet, por policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb