* Grabitësit gërmuan 2 ditë për të hyrë tek kasaforta

TIRANË- Plot 210 mln lekë janë grabitur nga banka në zonën e ish-bllokut në Tiranë gjatë natës së kaluar. Tashmë shifra konfirmohet zyrtarisht. Pas këqyrjes së kasafortës nga policia dhe punonjësit e bankës dhe inventarit të bërë ka rezultuar pikërisht kjo shumë e grabitur.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se grabitësit kanë çarë murin që të çon tek kasaforta. Bëhet fjalë për një çarje në murin e bankës 50 me 30, tek dhoma e kasafortës. Po këto burime pohojnë se gërmimet e autorëve për të mbërritur tek kasaforta janë bërë prej 2 ditësh.

SI NDODHI GRABITJA
Policia thotë se kanë qenë 3 autorë që kanë vjedhur bankën dhe kanë gërmuar dy ditë me radhë, të premten në darkë dhe të shtunën po në darkë. Për shkak të lëvizjeve, alarmi i bankës ka rënë dy herë dhe përveç policisë private ka shkuar tek banka edhe drejtori i degës si dhe policia. Por pasi kanë bërë kontroll dhe nuk kanë konstatuar asgjë, ata janë larguar.

Mësohet se policia nuk ka hyrë në bankë, pasi nuk ka të drejtë, por vetëm stafi dhe policia private. Policia ka pasur funksion asistimi në verifikimin e situatës.

Autorët mësohet se kanë hyre nga një bodrum që ka qenë kazino, por tani nuk funksionon. Nga pas bankës është një dritare ku janë hapur dhe prishur hekurat. Dyshohet se autorët e kanë përdorur për të futur dhe nxjerr materialet dhe lekët.

Burime nga grupi hetimor pohojnë se janë vjedhur 210 mln lekë të vjetra. Policia ka marrë në pyetje punonjësit e sigurisë, ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, megjithëse dyshohet se nuk kanë filmuar asgjë.

NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë, në rrugën “Ismail Qemali”, tek BKT Bank, është konstatuar nje carje ne murin e bankes 50 me 30, tek dhoma e kasafortes. Kasaforta duket e pa prekur, por priten punonjësit e Bankës për të verifikuar kasafortën dhe a ka ndodhur vjedhje apo ka mbetur në tentativë. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për gjetjen e autorëve të kësaj vepre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: