FIER- Gjykata e Fierit ka dënuar me 33 vjet burg në total dy autorët e grabitjes e dhunimit të një çifti në pyllin e Semanit dhe përdhunimit të vajzës. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Endri Goga dhe 20-vjeçarin Shaban Skeja të akuzuar nga Prokuroria se kanë vjedhur dhe dhunuar nën kërcënimin e armëve një çift, si edhe kanë ushtruar dhunë seksuale mbi anëtaren femër të çiftit, ngjarje e ndodhur më 20 tetor 2014 në pyllin e Semanit. Vendimi i gjykatës është dhënë pak ditë më parë.

I pandehuri Endri Goga është dënuar me 24 vjet burgim, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Shaban Skeja, me 9 vite burgim. Procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe për këtë arsye, ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit.

Prokuroria e Fierit ka zhvilluar hetimet, nga të cilat kanë rezultuar se:

Në datë 20.10.2014, çifti V.M dhe E.A. kishin dalë për shëtitje në zonën e plazhit të Semanit. Në një moment intim ndërmjet tyre, pranë makinës ku gjendej çifti janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë ushtruar dhunë, me qëllim marrjen e portofolëve dhe sendeve me vlerë që kishin në posedim.

Në dinamikë të ngjarjes, i pandehuri Skeja ka nxjerrë nga makina shtetasin V.M., duke e shtrirë në tokë nën kërcënimin e armës, ndërkohë që i pandehuri Goga ka ushtruar kontroll për sende me vlerë në automjetin e çiftit, ku gjendej edhe e dëmtuara E.A.

Gjatë kontrollit të mjetit, i pandehuri Goga ka kërcënuar me armë të dëmtuarën, duke ushtruar ndaj saj edhe dhunë seksuale. Pas akteve të dhunës, dy të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të dëmtuarit kanë bërë kallëzim në Polici.

Në vijim të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Fierit, ka rezultuar se autorët e veprave penale janë të pandehurit Endri Goga dhe Shaban Skeja, të cilët u arrestuan pak kohë pas ngjarjes.

Gjykata e Fierit i dënoi të pandehurit për veprat penale; Endri Goga- “Marrëdhenie seksuale  ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës”; “Vjedhja me dhunë”, në bashkëpunim; “Prodhimi  dhe mbajtja pa  leje  e armëve luftarake”

Shaban Skeja- për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, në bashkëpunim;  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb