DIBËR

Pas grabitjes së çiftit të të moshuarve Dulja në Çernene të Dibrës Policia ka reaguar duke arrestuar katër autorë.

Në pranga kanë përfunduar A. V., 23 vjeç, S. C., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç dhe Z. E., 25 vjeç të cilët i vodhën çiftit në banesë florinjtë si dhe i dhunuan fizikisht.

Po ashtu janë shpallur në kërkim dhe dy bashkëpuntorë të tyre K. B., 35 vjeç dhe A. G., 30 vjeç. Grabitja ndodhi tre ditë më parë kur 6 persona hynë në banesën e Rrahman dhe Hasije Duljes duke vjedhur sende me vlerë por duke mos kursyer as familjarët.

Ata i thyen gishtin dhe goditën në brinjë Hasije Dulje teksa nxinë nga të rrahurat edhe Rrahman Duljen. E gjitha ndodhi për 5 minuta dhe grabitësit morën ç’të mundnin.

 

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË

Dibër

Policia e Dibrës zbardh ngjarjen e ndodhur në datën 22.02.2020, ku disa persona vodhën me dhunë sende me vlerë në një banesë.

Finalizohet me sukses operacioni policor “Maqellara”.

Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale dhe hetimore, Policia identifikoi dhe vuri në pranga 4 shtetas si autorë të dyshuar, si dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë, bashkëpunëtorë në vjedhje.

Policia e Dibrës, pas njoftimit të marrë se në fshatin Cernem, Maqellarë, në orët e vona të datës 22 shkurt, disa persona kishin hyrë në banesën e shtetasit R. D. dhe nëpërmjet dhunës kishin marrë sende me vlerë, menjëherë ngriti një grup të posaçëm hetimor, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, grumbullimit të provave ligjore në vendngjarje, kontrolleve të shumta dhe informacioneve të marra në rrugë operative dhe në kuadër të operacionit policor i koduar “Maqellara”, u bë e mundur që në një hark kohor të shkurtër, të zbardhej ngjarja dhe të viheshin në pranga 4 shtetas të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje, konkretisht:

A. V., 23 vjeç, S. C., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç dhe Z. E., 25 vjeç, banues në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër.

Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve K. B., 35 vjeç dhe A. G., 30 vjeç, bashkëpunëtorë në vjedhjen me dhunë.

Si rezultat i veprimeve profesionale është bërë e mundur gjetja e disa provave materiale të vjedhura në banesën e shtetasit R. D., të fshehura në banesën e autorit të dyshuar S. C.

Materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb