TROPOJE – Dy persona janë arrestuar në Tropojë pasi akuzohen se kanë grabitur një dyqan. Gjatë aksionit policia ka sekuestruar 170 mijë lekë, 80 steka cigaresh të llojeve të ndryshme, dhe 1 kallëp tritoli.

Më datë 08.02.2018, specialistët e Seksionit për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, arrestuan shtetasit: Din Sylaj, 22 vjeç dhe Bledar Gelaj, 23 vjeç, të dy banues në fshatin Koçanaj, Tropojë.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se gjatë natës në qytetin e Bajram Currit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje, dyqanin e shtetasti S.D., 47 vjeç, banues në Bajram-Curri, ku kanë vjedhur një sasi lekësh dhe steka cigaresh të llojeve të ndryshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në banesën e tyre,  ju gjetën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale sasia prej 170.000 lekë dhe 80 steka cigaresh të llojeve të ndryshme.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Din Sylaj, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1(një) kallëp tritoli.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale ” Vjedhja kryer në bashkëpunim”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 134-25 dhe 278 të Kodit Penal.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb