Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishi i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ u ndal gjerësisht te ngjarja e rëndë në Nikël të Krujës, ku një biznesmen u dhunua dhe u grabit nga persona ende të paidentifikuar në banesën e tij.

Teksa u pyet në lidhje me faktin se autorët ishin prezantuar në banesën e biznesmenit Namik Çangu, ndërsa ishin veshur dhe me uniformë policie, zv.drejtori Dervishi tha se uniforma të tilla, copa e tyre, mund të gjenden edhe në pazar, të cilat mund të përshtaten shumë mirë nga rrobaqepëse.

“Në punë tonë të përditshme disa zona policore i kemi në fokus të veçantë, siç është Nikla. për këtë masë janë marrë masa nga policia e Shtetit dhe janë zhvilluar operacione, një pjesë e të cilave janë bërë të ditura ose një pjesë është në zhvillim. Këtë vit kemi caktuar një grup të posaçëm për komisariatin në Krujë, sidomos në këtë zonë. Ka disa mënyra që autorët përdorin për të realizuar një aktivitet kriminal. Një prej tyre është se prezantohen si punonjës policie. Po kjo nuk do të thotë që të hidhen hije dyshimi mbi punonjës policie. Për këtë rast po punohet intensivisht. Të shpresojmë që lajmin ta marrim sa më shpejt të jetë e mundur. Uniforma, ose copa me të cilën policia prodhon kostumet e stërvitjes ka edhe në pazar. Nuk është e vështirë që një rrobaqepës t’i përshtat. Apo dhe kapele të tilla ka dhe në Pazar. Ngjarje të tilla, me pasojë ose pa pasoja, si qartëson njerëzit e dëmtuar që të vërejnë me imtësi që uniforma është ajo apo e imituar. Po të dëgjoni dëshminë e të dëmtuarit, ai ka pasur dyshime se ata nuk ishin policë. Policia nuk hyn si hajdutë në banesa.”, -tha ai.

Duke u ndal te vrasja e biznesmenit në Fier, Demir Backa, Dervishi tha se për këtë ngjarje po punohet me intensitet.

“Edhe për këtë ngjarje po punohet me intensitet. Deri tani janë grumbulluar disa fakte, informacione interesante që me siguri do të hedhin dritë në drejtim të zbardhjes së kësaj ngjarje. Ajo që dua të shtoj është se ngjarje të tilla nuk është se ndodhin për herë të parë, jo për të justifikuar në opinionin publik. Pasi ne kemi përgjegjësinë në rastin më të mirë të parandalimit, dhe të zbulimit dhe vënies para drejtësisë të autorëve. Këto ngjarje të tilla nuk e kanë cënuar situatën e kriminalitetit dhe të kenë vënë në dyshim efektivitetin e strukturave policore. Edhe në lëvizjet e fundit që ka bërë drejtori i ri i Policisë së Shtetit, kanë marrë impuls të ri pune për të vijuar punën. Ne nuk flemë mbi dafina. Dy janë figurat e krimit që kemi evidentuar në këtë 9 mujor, dhuna në familje dhe krimi kibernetik.’, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb