NGA: Senad Nikshiqi
SHKODER-Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën, ku persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar e më pas grabitur një çift të moshuarish. ‘BalkanWeb’ mëson se rasti në fjalë ndodhi në fshatin Shtoj i Ri të njësisë Rrethina, rreth orës 1:30 të 5 qershorit.

Hajdutët janë futur nga pjesa e pasme e banesës dhe kanë hyrë në shtëpi, duke përfituar nga fakti që të moshuarit ndodheshin në gjumë Fillimisht kanë kërcënuar me armë 65-vjeçaren Lenë Marinaj. Pastaj kanë gjetur në katin e dytë të zotin e shtëpisë, Gjergj Marinajn, 78 vjeç, të cilin e kanë lidhur tek këmbët për të mos lëvizur dhe më pas e kanë goditur në trup dhe kokë disa herë. Pasi kanë gjetur 850 euro hajdutët janë larguar. Gjergj Marinaj tregon këto çaste të vështira të tij dhe bashkëshortes.

“Kam qenë në gjumë. Ka qenë ora 1:30 kur dëgjoj disa persona që më kishin hipur mbi shpinë teksa flija. Më kanë lidhur këmbët dhe më pas më kanë goditur disa herë me grushte në bark dhe në kokë duke më kërkuar para. Më përpara kanë dhunuar edhe gruan ndërsa në dorë mbanin edhe armë. Kanë gjetur 850 euro dhe më pas janë larguar. Jam shumë i shqetësuar për çfarë ka ndodhur sepse nuk i kemi borxh askujt. Jemi të frikësuar. Ne kemi qenë të vetëm në shtëpi sepse fëmijët janë të shpërndarë. Në këtë zonë gjithnjë e më shumë po shtohen rastet e vjedhjeve dhe kjo është problem. Shpresoj që policia të gjejë autorët”-thotë 78-vjeçari për ‘BalkanWeb’.

Policia sapo ka marrë njoftim ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë. Deri më tani nuk ka asnjë ide se kush janë autorët për t’i identifikuar dhe arrestuar pas kësaj ngjarje të rëndë të ndodhur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb