Ndonëse është nga këngëtarët e preferuar grekë për shqiptarët, duket se kjo gjë nuk ka arritur ta heqë nga shënjestra e grabitësve, po shqiptarë.

Banesa e këngëtarit të njohur Lefteris Pantazis në Vouliagmeni është grabitur mbrëmjen e së shtunës nga dy persona, të dyshuar si shqiptarë, të cilët dyshohet se janë autorë edhe të grabitjes së banesës së biznesmenit Aleksandros Stamatiadis, i cili mbeti i plagosur rëndë.

Lefteris Pantazis është i njohur në Shqipëri për shkak edhe të bashkëpunimit me këngëtarin Devis Xherahu.

Mediat greke shkruajnë se dy persona të maskuar hynë në shtëpinë e Pantazis dhe kërcënuan punonjësit rusë duke iu marrë 1,000 euro, ora dhe bizhuteri me vlerë.

Duke folur për mediat këngëtari tha se vjedhja ndodhi edhe pse shtëpia e tij ishte 50 metra larg nga stacioni i policisë Vouliagmeni.

Lefteris Pantazis tregoi se punëtorët kishin qenë në gjumë dhe hajdutët ishin futur nga kuzhina pasi dera nuk ishte e mbyllur mirë dhe alarmi nuk kishte funksionuar.

“Vajzat flinin, ata mbanin armë në duart e tyre dhe morën 1.000 euro por fatmirësisht vajzat janë mirë”, tha këngëtari. Vetë Pantazis nuk ishte në shtëpi pasi ndodhej në Larisa për punë.

Deri tani, nga laboratorët e mjekësisë ligjore nuk është marrë ndonjë provë që do hidhte dritë mbi hetimet, ndërsa nga ajo që kanë thënë në një fazë të parë ëshmitarët okularë nuk jepen shumë të dhëna për profilin e autorëve.

“Me të dhënat e deritanishme, dyshohet se autorët janë të huaj, sipas të gjitha gjasave shqiptarë dhe i kanë zgjedhur rastësisht objektivat e tyre”, shkruan Prothothema e cila thotë se policia e lidh grabitjen e Lefteris me rrahjen e një biznesmeni.
Sipas policisë, autorët kishin veshur doreza dhe kapuça që i mbulonin plotësisht fytyrën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb