Grabitja e 50 mijë eurove në 3 korrik të këtij viti në banesën e biznesmenit Lorenc Poka në Ksamil, vazhdon të mbajë në qeli kosovarin Hil Mema dhe biznesmenin nga Ksamili, Vangjel Pella. Ky i fundit ndërkohë ka bërë kërkesë për të dale nga qelia, duke i kërkuar Gjykatës së Sarandës një masë më të lehtë sigurimi.

Përmes avokatit të tij ai ka kërkuar lirinë për arsye shëndetësore. “Personi nën hetim është i padënuar më parë, me gjendje shëndetësore i diagnostikuar me sëmundje kardiake. Nga kartela mjekësore rezulton se ka nevojë për mjekim të vazhdueshëm nën kujdesin e mjekut specialist dhe familjes; në kushte të tilla vlerësohet se masa më e përshtatshme është ‘detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”, deklaroi avokati.

Veç kësaj, kërkesës i është bashkangjitur edhe një deklarim tjetër i Hil Memës në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ku thotë se deklarimin e tij e ka bërë pasi është detyruar me forcë, është rrahur nga të zotët e shtëpisë dhe është kërcënuar me vdekje ai dhe për familjen e tij.

“Në këto kushte duhet të merret si provë deklarimi i tij nga gjykata dhe të bëhet zëvendësimi i masës së sigurimit personal për personin nën hetim Vangjel Pella pasi ka rënë dyshimi i arsyeshëm”, thuhet në kërkesë.

Në deklarimin e tij shtetasi Vangjel Pella thotë se nuk e njeh shtetasin Hil Mema dhe nuk ka dijeni për vjedhjen e banesës së shtetasit Lorenc Poka në datën 3 korrik 2021.

Megjithatë prokurori Ilir Hoxha tha se nuk ka asnjë rrethanë të re si dhe asnjë provë që të mund të justifikojë zbutjen e masës së sigurimit. I të njëjtit mendim ka qenë edhe gjyqtari Fatmir Ndreu, i cili ka vendosur rrëzimin e kërkesës së personit nën hetim Vangjel Pella si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vjedhja e kryer në bashkëpunim kur ka sjellë pasoja të rënda”, duke e lënë serish atë në qeli.
Për ngjarjen në fjale, vazhdojnë të jenë në kërkim dy shtetas nga Kosova, Getoarb Mulliqi dhe Nderim Curri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb