TIRANE- Pas grabitjes së bujshme të një dite më parë, në filialin e një banke në ish-Bllok, policia e Tiranës arreston 2 persona për shpërdorim detyre.

Në prangë u vu sot Drejtori i degës, Luigj Gjonaj, shefi i sigurisë së filialit Florjan Skarra si dhe u shoqëruan dy persona të tjerë, punonjës të bankës, të cilët kanë sqaruar veprimet që kanë bërë pasi kanë konstatuar rënien e alarmit. Sipas policisë veprimet e tyre kanë qenë konform rregullores, pasi kanë njoftuar eprorët të cilët kishin për detyrë verifikimin.

Burimet policore ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shumën e grabitur, por dyshohet të jetë 21 mln lekë. Ajo që ka befasuar të gjithë është mënyra e grabitjes, pasi 3 persona kanë gërmuar dy ditë me radhë, të premten në darkë dhe të shtunën po në darkë për të çarë murin që të çon tek kasaforta.

Autorët mësohet se kanë hyre nga një bodrum që ka qenë kazino, por tani nuk funksionon. Nga pas bankës është një dritare ku janë hapur dhe prishur hekurat. Dyshohet se autorët e kanë përdorur për të futur dhe nxjerrë materialet dhe lekët pasi kishin çarë murin.

Për shkak të lëvizjeve të tyre, alarmi i bankës ka rënë dy herë dhe përveç policisë private ka shkuar tek banka edhe drejtori i degës si dhe policia. Por pasi kanë bërë kontroll dhe nuk kanë konstatuar asgjë, ata janë larguar. Pikërisht për neglizhencën e alarmit të rënë në bankë me akuzën e shpërdorimit të detyrës u arrestua sot drejtori i bankës, shefi i sigurisë dhe dy punonjës të tjerë.

Hetimet për ngjarjen vijojnë ende, ndërsa pritet që policia të verifikojë edhe kamerat e sigurisë në bankë, nëse kanë mundur apo jo ta regjistrojnë grabitjen.

POLICIA
Tiranë, Specialistet e Seksionit për hetimin e krimeve ndaj pronës arrestuan në flagrancë shtetasit:
• Luigj Gjonaj, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i filialit të BK.
• Florjan Skarra, 36 vjeç, banues në Tiranë me detyrë shef i sigurisë së filialit të BKT, (nenet 248 dhe 25 të K.P).

Arrestimi i shtetasve Luigj Gjonaj dhe Florjan Skarra, u bë për arsye se me veprimet dhe mos veprimet e tyre pavarësisht marrjes së sinjalit për vjedhje në bankë kanë neglizhuar kryerjen e veprimeve dhe marrjen e masave duke sjellë si pasojë vjedhjen e një shume të konsiderueshme të vlerave monetare që ndodheshin në kasafortën e kësaj banke.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po punohet për identifikimin e kapjen e autorit, të vjedhjes së ndodhur në orën 08:15, në kryqëzimin e rrugës “Vaso Pasha”, me rrugën “Ismail Qemali”, ku persona të paidentifikuar duke hapur dy vrima në murin rrethues të bankës dhe të murit të dhomës kasafortë kanë hyrë në kasafortën e bankës dhe kanë vjedhur një sasi lekësh ende të papërcaktuar.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb