NGA AURORA KOROMANI
Grabitet me armë zjarri një bankë në kryeqytet. Ngjarja është shënuar mesditën e djeshme te Stacioni i Trenit, ku tre persona me maska dhe të armatosur kanë arritur të grabisin tek “Union Bank” dy thasë me para. Pas ngjarjes, autorët kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes me makinën e vetë bankës që kanë grabitur, e cila më pas është gjetur e braktisur në periferi të kryeqytetit. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, mes të cilëve edhe Altin Qato dhe Haki Çako, respektivisht, nëndrejtori për Rendin dhe ai për Krimin në Policinë e Shtetit, si dhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa.
Grabitja
Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, tre persona me maskë dhe me kallashë janë futur në pjesën e pasme të filialit të “Union Bank” që ndodhet te Stacioni i Trenit dhe kanë arritur të grabisin dy thasët me para që ndodheshin te makina e blinduar. Burime pranë policisë bëjnë me dije se brenda thasëve mendohet se ishin afro 10 milionë lekë të reja, por shuma e saktë do verifikohet më vonë nga ekspertët. Të njëjtat burime saktësojnë se mesditën e djeshme, si zakonisht te banka po kryhej transportimi i parave, të cilat ndodheshin te makina e blinduar, e cila shoqërohej nga një makinë tjetër e bardhë. Në momentin që dy makinat janë futur në mjediset e brendshme të bankës dhe janë drejtuar pikërisht në hyrjen e pasme të bankës, tre persona të armatosur dhe me maskë në fytyrë janë afruar me shpejtësi pranë automjeteve dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin lekët që ndodheshin në makinën e blinduar. Pas kësaj, autorët kanë qëlluar në ajër disa herë dhe më pas kanë marrë makinën e bankës dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti është gjetur i braktisur më pas nga forcat policore pranë shinave të trenit në periferi të kryeqytetit. Nga hetimet paraprake, dyshohet se personat që kanë bërë grabitjen kanë pasur dijeni për oraret dhe lëvizjet që do kryheshin në bankë mesditën e djeshme. Veç kësaj, nga ekspertët e grupit hetimor dyshohet se nuk ka funksionuar siç duhet sistemi i sigurisë dhe ruajtjes së bankës, pasi nëse do kishte funksionuar, do ishte parandaluar grabitja. Dyshimet shtohen edhe në momentin që asnjëri prej personave që kanë qenë në makinën e blinduar nuk ka reaguar në momentin e grabitjes. Burime policore shtojnë, se dy personat që kanë qenë në autoblindën ku janë marrë lekët, janë marrë në pyetje në polici dhe aty kanë sqaruar të gjithë skemën e ngjarjes. Mësohet që ata të kenë thënë në polici se u kanë vënë armën në kokë dhe për këtë arsye i kanë lënë që të marrin lekët. “Nuk i pamë kur erdhën; vetëm në momentin që na vunë armët në kokë e kuptuam se kishim rënë pre e një grabitjeje dhe pas kësaj u detyruam që t’i linim që të merrnin paratë”, kanë pohuar dy përgjegjësit për ruajtjen e parave në polici. Kamerat e sigurisë së bankës dhe të bizneseve përreth do jenë ato që do zbardhin mekanizmin e ngjarjes, ndërkohë që thuhet se kamerat kanë kapur edhe pamjen e autorëve.
Dëshmitarja
Skena e vjedhjes së parave në bankë është parë edhe nga një dëshmitare okulare, e cila tregon për “Gazeta Shqiptare” skenën se si ka ndodhur momenti i grabitjes. Luljeta Sh. rrëfen ankthin që ka përjetuar në momentet që ka parë personat e armatosur.
Ku ishit në momentin që ndodhi grabitja?
Unë isha në biznesin tim, kur pashë në fillim tre persona të armatosur. Në fillim mendova se ishin përgje-gjësit e bankës që transportojnë lekët dhe u habita kur i pashë me maskë. I thashë shoqes sime që, ‘përse kanë vënë maskë këta të bankës sot?’, se këtu ndodh shpesh transportimi i parave dhe ne i shohim.
Kur e kuptuat se bëhej fjalë për një grabitje?
E kuptova vetëm në momentin që grabitësit kanë qëlluar në ajër me kallashë dhe u vunë armën në kokë personave në makinën e blinduar. U tremba për vdekje, edhe tani më dridhet trupi kur e mendoj. Pastaj nuk pashë më gjë, sepse u fsheha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: