KRUJE- Policia e Krujës identifikon njërin prej autorëve të grabitjes së djeshme me armë në një karburant në aksin rrugor Aeroporti i Rinasit-Ura e Gjoles, gjen mjetin me të cilin u krye grabitja, një motor i tipit “Lifan” si dhe sekuestron drogë në banesën e tij, po pa mundur ta kapin.

Blutë e Krujës kanë sekuestruar sot mjetin e përdorur nga grabitësit për largimin nga vendi i ngjarjes. Ndërsa më pas gjatë kontrollit në banesë i kanë gjetur edhe drogë.

Hetimet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim njërin nga autorët e kryerjes së veprës penale, konkretisht shtetasin: B.M. 28 vjeç, banues në fshatin Qerek Krujë.

Shtetasi i mësipërm, më datë 16.09.2016, rreth orës 01:30, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në aksin rrugor Aeroporti i Rinasit-Ura e Gjoles, me skafanda dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur një pikë shitje karburanti, në pronësi të shtetasit N.V. 51 vjeç, banues në Mallakastër.

Autorët kanë hyrë në kabinën e vendqëndrimit të rojeve dhe shitësve të karburantit, ku kanë thyer me armë zjarri automatik xhamin e derës dhe dritares së kësaj kabine, dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punonjësit të hapin kasafortën e parave nga e cila kanë marre rreth 300 000 lekë dhe janë larguar me mjetin e tyre motorçikletë e tipit “Lifan”.

Gjatë kryerjes së kontrollit të zonës përreth u gjet i djegur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes motori të cilin kishin përdorur autorët, i llojit 50 CC.

Nga kryerja e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes dhe provat e mbledhura ka rezultuar si autor i dyshuar shtetasi B.M. dhe një shtetas tjetër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit B.M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 4 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Policia vijon punën për kapjen e autorit të shpallur në kërkim, identifikimin e autorit tjetër dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale të “Vjedhjes me dhunë”, dhe Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar në nenet 139 dhe 283 të Kodit Penal.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: