FIER– Në një kohë kur sot pritet të jepet masa e sigurisë për 31-vjecaren nga Visoka e Mallakastrës Anna Malaj dhe bashkëpunëtorin e saj Emiljano Grembi, i cili është djali i hallës, nëna e këtij të fundit mohon përfshirjen e djalit të saj në grabitjen me armë të karburantit në Fier.

Në një prononcim për “BalkanWeb” me gazetarin Ervis Kuci, Fetie Grembi shprehet se djali i saj është i pafajshëm dhe e ka marrë në qafë mbesa e saj, Anna. Ajo thotë se është në gjendje të vështirë ekonomike dhe se armën e gjahut me të cilën është grabitur karburanti e kishte mbesa e saj.

“Djali është i pafajshëm. Çunin ma mori në qafë kjo mua. Hallë tha dua çunin se kam frikë, jam vetëm. Nuk me pëlqente çfarë bënte ajo. Anna ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë dhe burrin e ka në Gjermani. Unë djalin e kisha të rregullt. Djali nuk ka asgjë, as shtëpi as pasuri, asgjë. Unë nuk kam as të paguaj. Jam në borxhe. E kam cupë vëllai atë.

E kam nxjerrë dy herë nga shtëpia se e dija çfarë do vepronte ajo. I kam thënë burrit mos ma qas më brenda. Djali im ska as armë asgjë. Armën e kishte mbesa me leje. Çunin tim e ka marrë ajo se gjoja kishte frikë. Unë isha tek nëna ime se i bëja shërbim. Unë nuk kam kokërr leku dhe se çfarë do bëhet nuk e di”-shprehet Fetie Grembi.

NJOFTIMI I POLICISE PER NGJARJEN:
Policia e Fierit zbardh dhe dokumenton vjedhjen e 1 karburanti dhe tentativën për vjedhje të 2 karburanteve të tjerë.

Ndalohet autorja, identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj.

Sekuestrohet arma me të cilën autorët nën kërcënimin e saj kryenin vjedhjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër pronës dhe pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, falë punës operative e hetimore të mirëorganizuar, bënë të mundur zbardhjen e tre ngjarjeve të ndodhura këtë muaj në Qarkun e Fierit ku dy persona nën kërcënimin e armës, gjatë orëve të vona të natës shkonin për të vjedhur pika të ndryshme karburantesh.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u ndalua:

•Anna Malaj, 31 vjeçe, banuese në fshatin Visokë, Mallakastër.

•Emiljano Grembi 22 vjeç, banues në fshatin Belinë, Patos.

Të dy këta shtetas( Kushërinjë), nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.

Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.

Në datën 15.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

• Automjeti me të cilën shkonin në vendngjarje.

• 1 armë gjahu teke dhe 6 fishekë.

• 1 palë doreza dhe 4 targa mjeti të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 140, 22, 25, dhe 278 të Kodit Penal.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb