FIER– Nuk ka qenë vetëm aventurë, por edhe hakmarrje. Janë pikërisht këto motivet që mësohet se e kanë çuar 31-vjecaren nga Visoka e Mallakastrës Anna Malaj, që së bashku me Emiljano Grëmbin, djalin e hallës, të vjedhin me armë zjarri një pikë karburanti në Levan të Fierit në fillim të muajit korrik.

Në bazë të të dhënave operative, policia e Fierit ka bërë të mundur dokumentimin e plotë të ngjarjes, që çoi edhe në ndalimin e Malajt dhe Grëmbit, që në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë arritur të marrin 30 mijë lekë të rinj nga një pikë karburanti, mbrëmjen e 2 korrikut.

Për të dokumentuar ngjarjen, dhe për ta lidhur atë edhe me tentativën e grabitjes së dy pikave të tjera të karburantit në Mallakastër e Fierit, është dashur sekuestrimi i kamerave të sigurisë, të cilat kanë nxjerrë në dritë të vërtetën, ndërsa policia ka siguruar edhe të dhëna operative se femra që kishte marrë pjesë në të tre grabitjet, mund të ishte 31-vjecarja Anna Malaj, e cila më parë quhej Jonida.

Pas fakteve të mbledhura, efektivët e policisë kanë shkuar për kontroll në banesën e 31-vjeçares, duke e pyetur këtë të fundit nëse kishte armë, dhe Malaj ka dorëzuar menjëherë armën e gjahut që rezultoi të jetë përdorur edhe për grabitje.

Në oborrin e shtëpisë së 31-vjeçares është gjetur edhe automjeti i ngjashëm me makinën e përdorur nga grabitësit që dukej në kamerat e sigurisë të pikave të shitjes së karburanteve. Kanë mjaftuar këto fakte për të kryer edhe shoqërimin e 31-vjeçares të cilës i janë marrë deklarimet përkatëse lidhur me tre ngjarjet.

Gjatë marrjes në pyetje prokurori i çështjes, Çlirim Sino, ka konstatuar se 31-vjeçarja mbante në qafë një medaljon, të ngjashme me atë që mbante vajza e cila shfaqej në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë. Pasi janë krahasuar të gjitha të dhënat, 31-vjeçares i është kërkuar që të eci dhe vrapojë për disa metra, duke krahasuar këtë të fundit me imazhet e marra nga kamerat e sigurisë, që përafrohej thuajse totalisht.

E ndodhur përballë këtyre fakteve, Anna ka rrëfyer të vërtetën para prokurorit Çlirim Sino, duke pranuar se ishte ajo vajza që shfaqej në mjediset e karburanteve.

Vetë 31-vjeçarja Malaj ka treguar përpara grupit hetimor se pasi ka festuar datëlindjen e saj të 31 më datë 1 korrik, në gjendje të dehur kanë shkuar së bashku me kushëririn e saj, Emiljanon, që të vidhnin me armë karburantin që ndodhej pranë fshatit Levan. Sipas saj, pasi kishin pirë janë nisur për të kryer grabitjen e parë. Ajo ka shpjeguar se kanë përzgjedhur pikërisht këtë pikë shitjesh karburantesh, pasi disa kohë më pare, kur kthehej nga Vlora për në Fier, kishte ndaluar për tu furnizuar në këtë karburant. E ndaluara ka pohuar se i ka dhënë punonjësit 50 euro për të paguar, por ky i fundit kur i ka kthyer reston, ka gabuar me kursin e këmbimit. Mësohet se 31-vjeçarja ka pohuar para hetuesve se edhe pse ka debatuar, punonjësi nuk i ka kthyer reston e duhur dhe për këtë arsye ka dashur të hakmerret ndaj tij.

Vetë 31-vjeçarja ka pohuar se grabitjen e parë e kanë kryer nën efektin e pijeve alkoolike dhe se gjithçka ka nisur si një aventurë, bazuar kjo edhe në mërinë e mbajtur nga kthimi mangët të restos nga punonjësi i karburantit në Levan të Fierit, për të cilën nuk ka qenë dakord.

Dhe duke lënë pas aventurën e herës së parë, për dy tentativat e tjera, 31-vjeçarja mësohet të ketë thënë se ka qenë nevoja për para ajo që i ka shtyrë të shkojnë për të grabitur, pa ja arritur qëllimit. Autorësia e ngjarjes është pranuar edhe nga Emiljano Grëmbi, djalë i hallës së Anna Malaj, i ndaluar ditën e sotme. Pritet që dy të rinjtë të dalin ditën e nesër përpara togave të zeza për masën e sigurisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb