TIRANE – Detaje të reja janë zbardhur për grabitjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën e Dibrës në Tiranë. Personi ende i paidentifikuar, mësohet të ketë grabitur një shumë prej 200 mijë lekësh të vjetra. Ishte roja i kazinosë ai që njoftoi policinë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:20. Mes të tjerave mësohet se roja kishte arritur të qëllonte me grusht hajdutin me pistoletë lodër por nuk mund t’i kapte. Ndërkohë po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ngjarja

Gazetarja e News24 dhe BalkanWeb, Dorjana Bezat siguron videon e grabitjes së mbrëmshme në një kazino në zonën e Selvisë në kryeqytet. Videoja e shkëputur nga kamerat e sigurisë, tregon momentin kur njëri nga grabitësit hyn në ambientin e kazinosë dhe me një pistoletë në dorë, që më pas rezultoi se ishte lodër, grabiti xhiron ditore.

Nga pamjet, duket një djalë i maskuar me kapuç që i kërkon punonjëses paratë e xhiros ditore, ndërsa gruaja që ndodhet në arkën e kazinosë dëgjohet që i lutet të mos qëllojë se ka fëmijë.

Pasi ka marrë paratë që punonjësja ia dha nën kërcënimin e armës, grabitësi ka dalë jashtë ambjenteve të kazinosë, por aty është ndeshur me ndërhyrjen e shërbimit të sigurisë.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: