Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli sot verdiktin për 7 të pandehurit të cilët dyshohet se në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal kryen grabitjen në Rinas më 9 prill 2019. Grupi drejtohej nga Admir Murataj.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJKKO cilësoi fajtor për vjedhje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal Klement Çalën duke e dënuar me 20 vite burg, vëllain e tij Eldi Çalën me 17 vite burg.

Nuk ka pasur lehtësim të dënimit për të penduarin e drejtësisë Alkond Bengasin.

Për Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në ngjarje, një i shumëkërkuar nga drejtësia, është pushuar çështja penale për shkak të vdekjes. Gjatë rrugës është pushuar çështja penale dhe për Ragip Hajdinin, i cili ndërroi jetë në spital.

Sa i përket Talo Çelës, një ndër të pandehurit e tjerë në lidhje me këtë megagrabitje, për shkak se ai ishte në kërkim kur nisi procesi, ky proces u pezullua për një vit dhe ende nuk ka një vendim fajësie. Ndonëse konsiderohet si një nga protagonistët kryesor të megagrabitjes së Rinasit, mbi Çelën rëndojnë dhe disa akuza të tjera të rënda si ato të vrasjes dhe ka disa procese paralele në Gjykatën e Posaçme. Renditet në listën e 5 personave më të kërkuar në vend dhe megjithëse ka pasur disa operacione për kapjen e tij ato kanë dështuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb