Policia e Elbasanit ka finalizuar operacioni “Kusarth” ku është sekuestruar pasuria e Klement Çalës dhe familjes së tij, një nga të dyshuarit për supergrabitjen e Rinasit, me pretendimin se këtë pasuri i ka përfituar nga aktiviteti kriminal.

Nga policia e Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, në kuadër të hetimit të proçedimit penal të regjistruar pranë kësaj prokurorie për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë paradites së sotme u finalizua operacioni policor i koduar “Kusarth”, për vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 31-vjeçarit K.C dhe familjarëve të tij.

Në kuadër të operacionit, u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme dhe aksioneve në pronësi të tyre, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si më poshtë:

-1 apartament me sipërfaqe 50 m2, në qytetin Elbasan;

-pasuri e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m2 dhe një ndërtesë e llojit njësi me sipërfaqe 167,9 m2 e ndërtuar mbi këtë pasuri, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-pasuri e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m2, mbi të cilën është regjistruar kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e 3 vilave nga 1 kat + nënçati me sipërfaqe 166 m2 secila, me vlerë investimi 15.662.000 secila, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-50 % e aksioneve të një shoqërie në zotërim të shtetasit E.Ç, në vendin e quajtur Bradashesh, Elbasan.

Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato kapin vlerën rreth 500.000 Euro.

Po ashtu bëhet me dije se po vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi ose familjareve te tij.

GRABITJA E RINASIT
Policia vijon të jetë në kërkim të Klement Calës, person me rekorde të theksuara kriminale në fushën e grabitrjes në Shqipëri e Greqi, vëllait të tij Eldi Çala, si dhe Talo Çalës të shpallur në kërkim lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas në 9 prill të këtij viti, ku u morën miliona euro në pak minuta dhe mbeti i vrarë Admir Murataj.

Policia ka shkëmbyer informacion edhe me policinë kosovare pasi besohet se të dyshuarit mund të kenë kaluar kufirin pas grabitjes.

Më herët policia ka venë në pranga shtetasit Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Cala dhe Alkond Bengasi. Dëshmia e këtij të fundit zbuloi grupit, duke pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Më 15 qershor të këtij viti policia vuri në pranga edhe Hasan Kanaçin, personin që informoi grabitësit nga brenda aeroportit. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën rreth 100 mijë euro, të konvertuara në kartmonedha të ndryshme, për të cilat ka dyshime të forta se i përkasin shumës prej 4.6 milionë eurove të grabitura në Rinas të cilat do të transportoheshin me avion nga Shqipëria drejt Vjenës.

KUSH ESHTE KLEMENT CALA

Klement Çala, që njihet si personazh tejet i rrezikshëm jeton në arrati që prej 2013, krahas krimeve të kryera më herët, në Shqipëri e Greqi, është i dyshuar tashmë edhe për grabitjen e 9 prillit dhe mendohet të ketë patur rol kryesor. Çala njihej për lidhjen e fortë me Admir Muratajn, që mbeti i vrarë pas grabitjes së dhunshme në aeroportin pasi janë arratisur sëbashku nga burgu i Trikallasë në Greqi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb