TIRANE- Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë për 6 punonjësit e sigurisë së ruajtjes së ‘Union Bank’ e grabitur pak ditë më parë.

Për 5 nga punonjësit e akuzuar për “Shpërdorim detyre” Gjykata ka dhënë masën arrest me 30 ditë burg, ndërsa për 1 tjetër ka dhënë masën detyrim paraqitje.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e vjedhjes me armë të “Union Bank”, mesditën e së premtes efektivët e policisë së Seksionit Kundër Krimeve ndaj jetës dhe Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kanë bërë ndalimin e 6 punonjësve të sigurisë së ruajtjes së bankës, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

Me 30 ditë burg janë dënuar Artan Dervishi, 43 vjeç; Dritan Duka, 24 vjeç; Saimir Nikoçi, 32 vjeç; Ilir Syla, 45 vjeç. Ndërsa për Isuf Gjici, 55 vjeç është dhënë masa detyrim paraqitje.

Grabitja e filialit të “Union Bank” tre ditë më parë në Tiranë, ka çuar sot pas hekurave edhe drejtorin e Departamentit të sigurimit të Bankës, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se përveç drejtorit të sigurimit, 54-vjeçarit Qirjako Sotir Taçe, në pranga ka rënë edhe 50-vjeçari Robert Anesti Fetah, me detyrë shoqërues i vlerave monetare pranë kësaj banke. Sipas policisë, “këta shtetas janë të dyshuar se kanë bashkëpunuar me autorët e ngjarjes, duke mos ushtruar kompetencat e tyre, si detyrë funksionale, dyshohet se kanë ofruar mundësimin apo krijimin e kushteve për dhënie informacioni”.

NGJARJA
Katër persona me maska dhe të armatosur kanë arritur të grabisin 4 thasë me para në filialin e “Union Bank” tek stacioni i trenit, në total 300 mijë euro. Në momentin që dy makinat e bankës janë futur në mjediset e brendshme dhe janë drejtuar pikërisht në hyrjen e pasme të bankës, tre persona të armatosur dhe me maskë në fytyrë janë afruar me shpejtësi pranë automjeteve dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin lekët që ndodheshin në makinën e blinduar. Pas kësaj, autorët kanë qëlluar në ajër 3 herë dhe më pas kanë marrë makinën e bankës dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti është gjetur i braktisur më pas nga forcat policore pranë shinave të trenit në periferi të kryeqytetit. Nga hetimet paraprake, dyshohet se personat që kanë bërë grabitjen kanë pasur dijeni për oraret dhe lëvizjet që do kryheshin në bankë mesditën e djeshme. Veç kësaj, nga ekspertët e grupit hetimor dyshohet se nuk ka funksionuar siç duhet sistemi i sigurisë dhe ruajtjes së bankës, pasi nëse do kishte funksionuar, do ishte parandaluar grabitja. Dyshimet shtohen edhe në momentin që asnjëri prej personave që kanë qenë në makinën e blinduar nuk ka reaguar në momentin e grabitjes.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb