Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke akuzuar se procesi është deformuar rëndë nga ajo që ai e quajti “industria e grabitjes së votës”.

Boçi u shpreh se sistemi aktual nuk lejon as partitë e reja dhe as opozitën të marrin votat që u takojnë, duke theksuar se i gjithë aparati shtetëror punon në funksion të njëanshëm.

“Meqë PD qenka në këtë situatë, pse nuk i morën votat këto partitë e reja? Sepse industria e grabitjes së votës nuk i lë të marrin atë që u takon. Shteti është në një anë,” deklaroi Boçi.

Ai hodhi dyshime mbi rezultatin e disa kandidatëve, duke përmendur emra konkretë.

“Si ka mundësi që deputetë anonimë kalojnë në vota figura të njohura të jetës publike? Arjan Ndoja është një prokuror me 25 vite eksperiencë dhe i njohur për publikun. Ai tjetri mori gati 20 mijë vota. Nuk krahasohet dot me një emër të panjohur,” shtoi Boçi.

Sipas tij, faktet për manipulimin e votës janë bërë publike nga Sali Berisha, dhe ato dëshmojnë ndërtimin e një sistemi të organizuar për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb