NGA XHENSILA KODRA

TIRANË- Ish-komando Neim Avdulaj, i cili tashmë ndodhet nën arrest me burg si i dyshuar për dy grabitjet e ndodhura më datë 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt të këtij viti, kishte dalë garant tek Admir Murataj (në kërkim) se nëse do të kapej nga policia, ishte në gjendje të duronte presionin e shtetit.

Ky fakt u bë dje me dije nga burime të hetuesve të çështjes, të cilat shtuan më tej se Avdulaj i ka thënë Muratajt se, nëse do të ndodhte ndonjë gjë, do e kishte me të dhe jo me Fation Xhyliun dhe Ditjon Memlikën, të cilët e informonin atë për çdo lëvizje të mjeteve që do të transportonin paratë drejt Rinasit.

Këto fakte, ish-komando i ka pohuar gjatë dëshmisë që ka dhënë para hetuesve. Burimet e lartpërmendura thanë më tej se Avdulaj ka treguar edhe se “Adi” (i identifikuar si Admir Murataj), i ka dhënë atij katër celularë të thjeshtë, me gjithë kartat SIM. 28-vjeçari nga Vlora ka rrëfyer më tej se, pasi kanë studiuar lëvizjet e mjeteve që shoqëronin paratë, personi me emrin “Adi” ka rënë dakord me Avdulajn për të realizuar vjedhjen.

Gjatë gjithë kohës që ata kanë studiuar lëvizjen e mjeteve, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasit Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika, të cilët i dërgonin mesazhe për lëvizjet e mjeteve me lekë. Mesazhet vinin rreth orës 10-11 të paradites, dhe kjo ndjekje është bërë nga mesi i muajit shtator deri në muajin dhjetor, kur ka ndodhur ngjarja (dhjetor 2015).

Neim Avdulaj ka rrëfyer më tej, se gjatë kësaj periudhe është takuar me Fation Xhyliun dhe Ditjon Memlikën, duke biseduar për çfarë do të realizonin. Ndërkaq, edhe pse i arrestuari tjetër nga policia, Ernest Kupa nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij, ku dyshohet të ketë qenë ekzekutor në të dyja grabitjet, në deklaratën e dhënë nga Neim Avdulaj, prokuroria ka akuza të forta që e fajësojnë atë në ngjarje. Sipas Avdulajt, Ernest Kupa është person që ka marrë pjesë në të dyja grabitjet dhe qëndronte shpeshherë me Admir Muratajn.

“Në të gjitha rastet që jam takuar me Ernest Kupën dhe ‘Adin’, janë diskutuar detajet e planit, duke përfshirë edhe diskutimet në lidhje me modifikimin e automjeteve që do të ndalnin mjetin e bankës. Takimet me të dy këta persona i kam pasur te Fusha e Aviacionit, në një lokal përballë helikopterëve, te lokal ‘M…’ dhe në një lokal në Unazë të Re”, – ka pohuar Avdulaj para hetuesve.

ADMIR ÇERPJA
Edhe pse pas arrestimit 35-vjeçari nuk pranoi të dëshmonte në polici ndaj akuzave të ngritura ndaj tij, mësohet se tashmë Çerpja ka dhënë detaje të vlefshme për hetuesit. Duke pranuar autorësinë e krimit, i riu ka rrëfyer edhe disa emra të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në grabitje, por që nuk ishin ende të identifikuar. Duke qenë se këta emra janë duke u verifikuar në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në grabitje, hetuesit nuk mund t’i bëjnë publikë gjeneralitetet e tyre.

Por, burime pranë hetuesve thanë se të gjithë këta persona tashmë janë shpallur në kërkim. Vetëm një ditë pas arrestimit të Admirit, i cili u kap në fshatin Zalldardhë të Dibrës, 35-vjeçarit iu gjet në oborrin e banesës në Bathore, Tiranë, një tenxhere e mbushur me euro e paund, të cilat i kishte groposur. Ndërkaq, mësohet se prokuroria ka dorëzuar në gjykatë, kërkesën për vleftësimin e arrestit ndaj tij dhe caktimin e “arrestit me burg” deri në përfundim të hetimeve.

Fillimisht, u dyshua se Çerpja dhe personi tjetër që vijon të jetë në kërkim nga policia, Admir Murataj, ishin në rolin e organizatorit, por në bazë të deklarimeve të personave nën hetim, ka rezultuar se detyra e Çerpjas ishte ndërmjetës mes informatorëve dhe ekzekutorëve. Për këto ngjarje, policia ka arrestuar të pandehurit Fation Xhyliu (informator), Ditjon Memlika (informator), Neim Avdulaj (vëzhgues), Ernest Kupa (grabiste me armë) dhe Admir (Jetmir) (Gjuljano) Çerpja (ndërmjetës në informacion), ndërsa vijon të jetë ende në kërkim Admir Nikaj (Murataj), i cili dyshohet të jetë edhe organizatori i grabitjeve.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb