TIRANË- Bashkë me personat e arrestuar për grabitjet e parave të dy bankave, policia shoqëroi edhe disa të tjerë që supozohet se kishin informacion për ngjarjet. Mes personave të shoqëruar është edhe vëllai i njërës prej kokave të grupit të strukturuar, Admir Nikaj (Murataj), i cili është ende në kërkim.

Gazetarja Dorjana Bezat tha për “BalkanWeb” se C.Murataj u shoqërua në polici dhe me sa duket do qëndrojë gjatë në qeli.

Kjo pasi dyshohet të ketë gisht në grabitje. Në servisin e tij në Vorë është gjetur kasaforta me para, çka ka bërë që policia të dyshojë se ka gisht në grabitje. Sipas burimeve nga policia C.Murataj u shoqërua për t’u pyetur në fillim por pasi iu gjetën këto prova nuk u lirua. Me shumë gjasa, vëllait të Admirit, do i ngrihet akuzë sepse afatet e shoqërimit kane mbaruar.

Admir Nikaj njihet me 13 identitete të tjera dhe një prej tyre është Admir Murataj. Nikaj është me origjinë nga Tropoja dhe familja e tij ka ardhur në Fushë-Prezë. Admir Nikaj njihej më herët nga policia, pavarësisht se aktiviteti i tij nuk ka qenë në Shqipëri, por jashtë vendit.

Ka qenë i arrestuar në Greqi dhe i arratisur nga burgu i Trikallës, të dhëna që tashmë janë bërë të ditura për publikun. Por një tjetër detaj lidhur me të është se ka qenë pjesë e grupit të Marjan Kolës, pjesë e të cilit është edhe Ilir Kupa i mbijetuar i atij grupi.

Ndonëse për momentin është një nga njerëzit më të kërkuar nga policia shqiptare, “BalkanWeb” raporton se për të vijojnë kërkimet edhe nga shteti fqinj, Greqia pas arratisjes spektakolare nga burgu bashkë me Ilir Kupën e 9 shqiptarë të tjerë.

Ai u arratis nga burgu i Trikallas në mars 2013, ndërkohë që kishte rënë në pranga bashkë me Klement Çalën, në janar të të njëjtit vit, si pjesëtar të një bande shqiptaro-greke të akuzuar për 9 grabitje dhe tentativë grabitje bankash, në shumën totale 2 milionë euro. Pas arratisjes, ata akuzohen se kanë grabitur edhe bankën kombëtare në Larisa më 16.05.2013, grabitje e faktuar nga gjurmët e gishtave.

Ndërsa Klementi u arrestua në Vlorë, policia greke dyshonte që Admiri fshihej në Kosovë, por gjatë kësaj kohe rezulton se ai ka qenë në Tiranë, ku ka ndërtuar edhe një vilë, fotot e së cilës i publikoi dje “BalkanWeb”.

Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim edhe dy nipat e Nikajt, respektivisht djemtë e motrës, të cilët dyshohen se kanë qenë pjesë e bandës së grabitjes, në rolin e furnitorit të logjistikës: armë, makina, radio e kamuflazh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb