TIRANE- Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se siguria kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjë herëe tjetër me grabitjen e ndodhur në Rias, që pas vitit të mbrapsht 97. Në një dalje publike para mediave, deputeti Edi Paloka deklaroi se kjo çështje duhet të hetohet dhe se duhet të gjendjet fajtori.

“Edi Rama dhe Saimir Tahiri po rreken të gjejnë përgjegjës e fajtorë larg tyre për ngjarjen e rëndë të aeroportit, por këto janë lëvizje të dëshpëruara, sepse inkriminimi i pikave kyçe të policisë nga Rama dhe Tahiri është arsyeja kryesore e rrëzimit të tmerrshëm të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare. Siguria Kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër pas vitit 1997 sepse praktikisht është “pushtuar Aeroporti”, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s. Ky sulm me armatim të rëndë ka ndodhur pas sulmit terrorist ne Aeroportin e Stambollit, pra në një kohe kur niveli i kërcënimit dhe “gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për sigurinë në aeroport sipas Ramës “ishin vendosur në shkallën më të lartë”. E vërteta është se akte te tilla kriminale janë përsëritur frikshëm në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është një nyje me rëndësi strategjike kombëtare, sepse nëpërmjet kësaj rruge lidhen të gjitha aktivitetet ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe ato të turizmit.

Praktikisht kur bien Aeroportet – çfarë garancie mund të ofrojë shteti për sigurinë e jetës, pronës dhe qytetarit të zakonshëm, e me tej stabilitetit dhe sigurisë kombëtare? Asnjë reagim, asnjë marrje përgjegjësie, asnjë koment nga Edi Rama, nga ky që nuk lë rast pa ndërhyrë me çdo mjet e çdo formë për çdo sebep e me çdo shkas në hapësirën publike dhe mediatike të shqiptarëve.”, tha Paloka.

Më tej ai shtoi se kjo heshtje ka një fajtor, të kthimit të Rinasit sipas tij në çerdhe të korrupsionit.

“Kjo është heshtja e një fajtori. Fakte të reja kanë dalë në dritë që tregojnë se Rinasi me Ramën është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe nepotizmi, një burim i madh përfitimi financiar për bandën kryeministrore, për avokatin e tij Eno Bushin që ka 25 përqind të aksioneve të kompanisë së sigurisë, për shefin e komisariatit, i afërm i ministrit të Brendshëm që kontrollon kanalet e trafikut, dhe vazhdon të qëndrojë në detyrë megjithë skandalet e shumta, e me gjithë sulmin e armatosur tre dite më parë. Ndërkohë dokumentet zyrtare kanë shuar çdo spekullim të Ramës duke konfirmuar se policia është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit dhe rrethimit të jashtëm, dhe grabitja ka ndodhur vetëm pak metra larg nje trupe policie që nuk u vunë kurrë në lëvizje. Renia e Rinasit, rënia e sigurisë kombëtare është vërtetimi i rënies së çdo standardi, është dëshmi se grabitja, maskat, krimi, me Ramën e Tahirin kanë zëvendësuar rendin, ligjin, sigurinë.”, përfundon deklarata e Palokës.
(ed/me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: