TIRANË-Krimet e Rënda kanë lënë në burg 3 nga të akuzuarit për grabitjen e parave të bankës të ndodhur në Qafë-Kashar muajin e kaluar. Bëhet fjalë për Dash Kupën, Aleksandër Muratajn dhe Dritan Sinanin, raporton “BalkanWeb”. Murataj dhe Sinani u arrestuan më 14 mars, të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në rrugën Qafë Kashar-Rinas, me 9 shkurt të këtij viti.

Dash Kupa kishte apeluar masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda por sërish Apeli ka vendosur se duhet të qëndrojë në burg.

ALEKSANDËR MURATAJ
Aleksandër Murataj, është vëllai i Admir Muratajt, i dyshuar si autori kryesor i grabitjes së Rinasit. Murataj, u kap mbrëmjen e 14 marsit në një banesë në afërsi të lagjes Qesarakë, ku edhe strehohej.

aleksander-murataj-1

Por në seancën e sotme ku është dhënë masa e sigurisë, 41-vjeçari Admir Murataj është vetëdeklaruar i pafajshëm pasi sipas tij, kur ndodhi grabitja ndodhej tek dentisti dhe madje për të provuar këtë ai tha se janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

“Kam qenë te dentisti kur u bë grabitja. Ka kamera te dentisti që kam qenë aty”, ka thënë ai, raporton “BalkanWeb”. Por, nga ana tjetër Prokuroria ka deklaruar se ka prova që Aleksandri ka qenë tek shtëpia e Admirit, vëllait të tij.

DRITAN SINANI
Të njëjtën masë gjykata ka dhënë edhe për Dritan Sinanin, i arrestuar më 14 mars, i cili dyshohet se është një nga njerëzit që ka siguruar një pjesë të armëve të përdorura në grabitjen e Rinasit me 9 shkurt të këtij viti.

dritan-sinani-1

Në seancën e sotme ai ka treguar lidhjen me Admir Murataj, kreun e grupit i cili është ende në kërkim.
“Vëllai im punon te vila e Admirit si kopshtar, ndaj njihemi”, ka pohuar ai në gjyq, shkruan “BalkanWeb”.

 

Në nëntor të vitit 2015, Sinani u kap me një sasi droge Kanabis Sativa nga policia, ndërsa lënda narkotike dyshohet se synohej të trafikohej në Greqi me autobus.

43-vjeçari, kishte hyrë në lidhje fillimisht me Admir Muratajn, pasi gjatë kohës që udhëtonte në Greqi si shofer i një linje autobusësh, i dërgonte porosi të ndryshme Muratajt nga familja e tij qe gjendej në Shqipëri.

Ai i kishte ruajtur marrëdhëniet me Admir Muratajn dhe një pjesë të personave me të cilët me 9 shkurt sulmoi blindin e një banke të nivelit të dytë duke marre 3.2 milion euro.
Deri më tani numri i anëtarëve të arrestuar te këtij grupi ka arritur ne 9.

DASH KUPA
Po sot Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka konfirmuar masën e sigurisë të dhënë më parë për Dash Kupën, një prej të akuzuarve për grabitjen e parave të bankës në Qafë Kashar. Sipas vendimit të sotëm, Kupa do duhet të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. 41-vjeçari u arrestua më 21 shkurt në pikën kufitare të Morinës.

Dash Kupa
Dash Kupa

Në dëshminë e tij para policisë Kupa ka mohuar akuzat dhe përfshirjen në grabitje. “Ditën kur ka ndodhur ngjarja, madje para, gjatë dhe pasi ka ndodhur grabitja, unë kam qenë në picerinë që kam bashkë me djalin e xhaxhait. Këtë mund ta provoni lehtësisht. Shkoni shikoni kamerat e sigurisë”, është shprehur Kupa pas arrestimit.

Dash Kupa është edhe bashkëpronar i picerisë, që ndodhet pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, ndërsa rezulton të ketë qënë i dënuar edhe në shtetin fqinj, Greqinë. 41-vjeçari sipas policisë ka pasur funksioninin e organizatorit në grup dhe nuk ka kryer veprime aktive, ashtu siç dyshohet kushëriri i tij.

Ai dyshohet se ka përgatitur planin e masave, si dhe ka koordinuar grupet në terren me informatorët. Por vetë i arrestuari, njësoj si i djali i xhaxhait të tij, Ernest Kupa, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke mos pranuar ngjarjen. Madje ai ka paraqitur edhe një alibi para hetuesve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb