TIRANE- Shoqata e Bankave me anë të një deklarate për media ka reaguar në lidhje me grabitjen e ndodhur dy ditë më parë në Qafë-Kashar, ku persona ende të paidentifikuar vodhën një shumë të madhe parash të bankës së nivelit të dytë, BKT. Shoqata e Bankave ka shprehur shqetësimin lidhur me rastin në fjalë, ndërsa ka kërkuar kapjen dhe dënimin e autorëve. Nga ana tjetër AAB i ka ofruar mbështetje institucioneve për hetimin e çështjes.

DEKLARATA E SHOQATËS SË BANKAVE
Opinioni publik dhe gjithë shoqëria është njoftuar dhe informuar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në datën 9 shkurt 2017 në rrugën për në Rinas, ku një grup kriminelësh kanë ndaluar dhe grabitur eskortën që po transportonte vlera monetare. Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ndan të njëjtin shqetësim dhe interes për dënimin e autorëve të këtij akti të përsëritur në një territor që duhet të ishte model i sigurisë. Ajo do të mbështesë deri në fund, pa asnjë mëdyshje, të gjitha institucionet përgjegjëse të bëjnë punën e tyre të hetimit dhe mbledhjes së provave për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë para drejtësisë autorët e krimit.

Por, në këtë mori informacionesh të mbingarkuara, shpesh në mënyrë jo profesionale, është hedhur baltë mbi përgjegjësinë e bankave për një veprimtari që ligji e ka shumë qartë të përcaktuar. Sqarojmë se shërbimi i transportimit të vlerave monetare në industrinë bankare kryhet në përputhje me Rregulloren e Bankës së Shqipërisë nr. 67, datë 1.6.2016 “Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet ku kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare” dhe të ligjit nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”.

Bankat kanë përgjegjësi për sigurinë fizike brenda ambienteve ku zhvillojnë veprimtarinë, kanë përgjegjësi të zbatojnë kërkesat rregullatore dhe ligjore për lidhjen e kontratës me një shoqëri Shërbimi Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF), e cila është e licencuar për transportimin e vlerave monetare, si dhe të bëjnë sigurimin e godinave, vlerave monetare në kasafortë dhe në lëvizje.
Sipas ligjit, bankat nuk lejohen të transportojnë vetë vlera monetare. Ato nuk janë përgjegjëse për vendosjen e standardeve apo kërkesave për këtë veprimtari, sa kohë ligji nuk parashikon dhe nuk ja njeh këtë detyrë apo të drejtë. Shoqata Shqiptare e Bankave, pasi ka evidentuar elementët e rrezikut gjatë transportimit të vlerave monetare, ka kërkuar, për më tepër se 7 muaj, pranë autoriteteve vendosjen e standardeve për transportimin e vlerave monetare në kuadrin rregullator përkatës, i cili ende nuk është plotësuar.

Shoqata Shqiptare e Bankave mbështet dhe inkurajon tryezën e rrumbullakët me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Bankën e Shqipërisë dhe AAB si instrumentin më të mirë për të ecur përpara. Dakordësia në takim për shoqërimin gjatë transportit të vlerave monetare me policinë e shtetit, të kontrollit të SHPSF-ve dhe për ngritjen e një grupi pune të përbashkët që do të shqyrtojë planin e masave për parandalimin e ngjarjeve të përsëritura dhe të rënda gjatë transportimit të vlerave monetare, janë të mirëpritura dhe garanci më shumë drejt vendosjes edhe të kësaj veprimtarie nën siguri të plotë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb