Një grabitje banke është regjistruar sot në Prishtinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në filialin e një banke në rrugën “Dëshmorët e Kombit”. Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, i dyshuari ka qenë i armatosur, ndërsa pasi ka marrë një shumë eurosh, është larguar nga vendi i ngjarjes. “Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një i dyshuar që po ashtu dyshohet të kishte dhe armë me vete ka grabitur një vlerë të caktuar parash dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Borovci.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës ka thënë se policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb