TIRANE

Anulimi i konkursit për gradën komisar, me pretendimin se policët kishin kopjuar masivisht, ka sjellë lumë reagimesh, ndërkohë që drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu shtyu testin për një datë të pacaktuar. Gazetari Spartak Koka i ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ tha se nuk ka pasur kopjime masive, por pretendime nga individë të caktuar se disa persona janë ndihmuar.

Ai tha se ka pasur zëra që ndihma ka ardhur nga anëtarë të Drejtorisë së Standardeve në fund të testit. Po ashtu Koka tha se një shef i seksionit të drejtorisë së Tiranës ka kallëzuar rastin në fjalë pasi pretendon, (duke dhënë dhe emra konkret), se në provim është kopjuar.

“Kopjim masiv s’ka pasur. Ka pasur pretendime nga oficerë se në segmente të caktuara gjatë fundit është kopjuar nga disa individë, apo dhe janë ndihmuar nga anëtarët e Drejtiorisë së Standardeve. Bëhet fjalë për 195 vende të lira, ku fituan 177 vetë. Ka një kallëzim nga një shef i seksionit i drejtorisë së Tiranës që pretendon, duke dhënë dhe emra konkret, se ne provim është kopjuar. Ajo që mund të zgjidhej në këtë rast ishte filtrimi i të dyshuarve në dy faza të tjera. Kishim intervistimin dhe një tjetër fazë. Po ashtu kemi dhe një pretendim për gradën kryekomisar ku kanë fituar 32 vetë. Ka qenë një proces për shumë vite i bllokuar. Një rikthim i cili ul reputacionin e policisë, është i dëmshëm. Kemi pasur një proces të anatemuar. Kur vijmë në një proces të tillë konkurrimi, mendoj se kjo dëmton konkurrimin e ndershëm. Pasi ka shumë efektivë policie që janë profesionist të fushës dhe kanë fituar me meritë. Në rast se brenda kësaj liste ka 20-30 veta që e kanë fituar për shkak të kopjes, atëherë këta persona të evidentohen. Vendimi i zotit Veliu i është kthyer në një bumerang, ne nuk e dimë se kush është e vërteta. Edhe statusi i Zotit Berisha deri diku qëndronte. Të marësh një vendim të tillë duhet të kesh ose prova të forta ose një guxim të madh për të avancuar më tej.”, tha Spartak Koka.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb