TIRANË- Në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë ka përfunduar me sukses procesi i konkurrimit dhe gradimit të oficerëve dhe nënoficerëve. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, pas një procesi transparent dhe të bazuar mbi përgatitjen dhe performancën e gjithsecilit, sot në një ceremoni  të veçantë morën gradën “Kolonel” 5 oficerë, “N/kolonel” 6 oficerë, “Major /Kapiten Rangut të Tretë” 43 oficerë, “Kapiten/Kapiten Lejtnant” 23 oficerë, “Toger/Lejtnant” 81oficerë. Ndërsa me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së morën gradën “Kryekapter”  2 nënoficerë, “Kapter” 4 nënoficerë, “Rreshter” 27 nënoficerë dhe tetar 46 efektivë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, gjeneralë dhe të ftuar të tjerë. Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, vlerësoi këtë proces, ndërsa shprehu bindjen se të gjithë ata efektivë të cilët sot morën një yll më tepër, do të dinë ta përkthejnë atë me punë dhe angazhim maksimal për detyrën që u jepet, në misionin e tyre fisnik.

“Nuk është asnjëherë e tepërt të thuash “faleminderit”, përkundrazi është shumë fisnike ta përdorësh këtë fjalë. Unë do t’ju them “faleminderit’ dhe përulem në respekt të punës tuaj fisnike. Dhe e them këtë me bindje që unë, si Ministër i Mbrojtjes dhe  qeveria që unë përfaqësoj nuk kemi bërë aq sa duhet për të gjithë ju. Nuk do rri këtu të diskutoj shkaqet, arsyet çfarë kishim trashëguar, por do t’u them se përtej asaj që nuk kemi bërë, disa gjera i kemi bërë shumë mirë”, – nënvizoi znj.Kodheli. Sipas ministres “procesi i marrjes së gradës ka qenë i kompromentuar, i korruptuar, i devijuar madje, më falni, dhe i degjeneruar shpeshherë. Sigurisht që ata që sot janë në grada madhore, jo domosdoshmërisht nuk e kanë merituar të jenë, por e them procesi në sistem, pa patur parasysh asnjë emër konkret”.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli shprehu bindjen e plotë se procesi tashmë është shumë më transparent, çdo ditë e më i merituar, pavarësisht se ka nevojë për përmirësime të tjera. Ministrja Kodheli, duke marrë shkas nga fakti se në sallë kishte edhe fëmijë të ushtarakëve që gradoheshin,  u shpreh se “Në këtë sallë ka një pinjoll, gjeja më e mrekullueshme që kemi sot mes nesh, kryevepra që çdo nënë ose bashkëshorte  krijon. Unë do doja shumë që në traditën e familjes sonë, ashtu siç ka qenë dikur, ashtu siç është në traditën e shumë familjeve të ushtrive aleate, ëndrra e kësaj mrekullie që kemi në sallë të jetë dhe të bëhet si babai, pjesë e kësaj pjesë të mirë të shoqërisë sonë, që janë FARSH”, e mbylli fjalën e saj Ministrja Kodheli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb