TIRANE- Deputetë të Partisë Socialiste u shprehën dje, se Mark Frroku nuk është pjesë e grupit të tyre parlamentar, edhe pse në fakt ai figuron i 19-ti, në listën e deputetëve, në faqen zyrtare të Kuvendit, si pjesë e grupit të kësaj partie.

Një ditë pasi u publikua lajmi se në makinën e Mark Frrokut ishte fshehur një person në kërkim, reagimet e deputetëve të PS-së kanë qenë të shkurtra dhe të kujdesshme, për të lënë drejtësinë dhe policinë të thonë versionin e vërtetë të ngjarjes. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi iu përgjigj gazetarit të “ABC News” se “ti e di që s’është anëtar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste?!”, kur ai e pyeti nëse është Frroku pjesë e grupit. Në të njëjtën linjë me Ruçin ishin edhe deputetë të tjerë. Vetëm deputeti i qarkut të Korçës, Ylli Ziçishti tha: “Mark Frroku është pjesëtari ynë. Neve nuk na është dhënë asnjë orientim. Por, unë nuk di që Marku të ketë ndonjë gjë të tillë”.

Nga ana tjetër, deputeti Piro Lutaj u shpreh: “Mark Frroku është pjesë e mazhorancës, por nuk është pjesë e grupit parlamentar të PS-së. Ky është qëndrim i z. Mark Frroku. Të paktën unë kam kohë që nuk e shoh në mbledhjet e grupit”. Edhe deputetja Vasilika Hysi shtoi: “Z. Frroku nuk është pjesë e grupit, e keni harruar?” Deputeti Artan Gaçi nuk e di nëse në makinën e Frrokut fshihej apo jo njeri, ndaj tha se duhet të merret vesh e vërteta. “Po a kishte shtetas tjetër brenda në makinë?” Deputeti thotë: “Jo. Unë nuk e di. Të marrim vesh të vërtetën. Unë nga policia mora vesh që nuk është lejuar të kontrollohet makina, por jo se kishte njeri brenda. Në 2 të natës unë nuk e di se si mund të ketë qenë ngjarja”, komentoi Gaçi. HETIMI Deputetja socialiste e qarkut të Shkodrës, Mimoza Hafizi shprehet se, historinë e përfshirjes ose jo në këtë çështje të deputetit Mark Frroku duhet ta hetojë prokuroria. “Në dijeni time çështja është në hetim. Nuk ka një akt përfundimtar të asaj çfarë ka ndodhur”.

“Nëse ka shkelje ligjore, dihet se cilat janë hapat që ndërmerren. Në fillim vepron drejtësia, sigurisht edhe grupi. Nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë, unë kam kompetencat e mia si deputete, nuk jam as gjykatëse, as prokurore”, – përfundoi Hafizi, duke mos dashur të japë një opinion nëse Frroku duhet përjashtuar nga mazhoranca. Ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Xhemal Qefalia sqaroi se, “duhet ta keni të qartë nocionin e grupit. Grupi ka të bëjë me përkatësinë partiake dhe z. Frroku, unë nuk dua ta paragjykoj, është kryetar i një partie tjetër, i cili ka një vendimmarrje tjetër brenda strukturave të asaj partie”. Qefalia nuk di të thotë datë të saktë se qysh kur Frroku nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e grupit, por shprehet se “gjithsesi këto janë gjëra që do vërtetohen nga organi i akuzës”. Frroku, në fakt nuk merr pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së që prej kohës kur kryeministri Edi Rama i tha se, nëse nuk do t’i kërkonte ndjesë ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pas një fyerjeje që Frroku i bëri asaj, të mos vinte më në mbledhjet e grupit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: