Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi u bëri thirrje socialistëve të ringrihen edhe më fuqishëm. Në festën e 25-vjetorit të partisë, me socialistët e Tiranës, Ruçi u shpreh: “Është koha që na duhet një organizim dhe veprim tjetër politik dhe ne socialistët do të dimë siç kemi ngritur të ringrihemi në 1992 për 5 muaj, në 1994 për dy vjet dhe në 2007 për 3 vjet të tjera. Prandaj në këtë 25-vjetor të nderuar të zgjedhur të rinj në krye të organizatave socialiste të mobilizojmë energjitë tona për të rritur, forcuar dhe konsoliduar solidaritetin socialist”.

Deputetët e PS-së janë përkushtuar që të kremtojnë 25-vjetorin e partisë nëpër të gjitha rrethet, për ta përmbyllur në fund me një festë të madhe përkujtimore në Tiranë. Por duket se kjo festë do të shtyhet për shkak të kampionatit evropian. PS është themeluar në 12 qershor të vitit 1991, por festa do të zhvillohet më 12 korrik, datë në të cilën drejtuesit e partisë pretendojnë të numë-rojnë 150 mijë anëtarë. Në festën që u organizua nga dega e PS-së së Tiranës, në mjediset e Muzeut Kombëtar ishin të pranishëm të gjithë deputetët e Tiranës.

Kryetari në detyrë, Saimir Tahiri deklaroi: “Jemi në një moment historik dhe reforma në sistemin e drejtësisë është guri i themelit për të bërë atë që duhet Shqipërinë e së ardhmes. Ne kemi bërë një punë të shkëlqyer për të arritur deri më sot, por ajo që duhet është të bëhemi bashkë me shqiptarët. PS në Tiranë ishte me 5 mijë anëtarë, sot është me mbi 18 mijë anëtarë. Ky është vetëm një hap, por duhet të bëjmë më shumë. Duhet të trokasim në çdo derë për tu bërë bashkë me ne për të çuar përpara reformat që ka ndërmarrë qeveria dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë dhe më të drejtë”, deklaroi Tahiri para socialistëve të Tiranës, të cilët po vijon t’i drejtojë, për shkak se në këtë degë nuk pati zgjedhje për kreun e ri të degës, ashtu siç ndodhi në degët e tjera të vendit. Në këtë 25-vjetor, është menduar që të kujtohen të gjithë drejtuesit e PS-së ndër vite.

Në kongresin e fundit të PS-së, kryetari Edi Rama përmendi edhe emrin e paraardhësit të tij, Fatos Nano, duke i dërguar një mesazh. “I bëj një falënderim në distancë edhe paraardhë-sit tim, liderit të parë të kësaj partie Fatos Nanos. Dëshiroj të na bashkohet kur të vijë dita e kremtimeve të 25-vjetorit dhe uroj të gjejë deri atë ditë fjalët e duhura për kontributin e tij në forcimin e karakterit demokratik të PS-së. Çfarë na ka ndarë me të nuk e ndan dot më dysh historinë e kësaj partie”, u shpreh Rama, duke e bërë këtë mesazh një lloj ndjese ndaj Nanos. Megjithatë pritet të shihet nëse Nano do ta marrë parasysh ftesën për 25-vjetorin e PS-së.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: