Nga: DARINA TANUSHI*

TIRANE – Asnjë nga deputetët socialistë nuk do të mund të gjejë justifikime për të mos marrë pjesë në seancat parlamentare. Mungesat në seancën e fundit, ku për një votë rrezikohej votimi për rrëzimin e dekretit të presidentit për Ligjin e Arsimit të Lartë. Burime zyrtare nga selia rozë pohuan për “Gazeta Shqiptare” se kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi deklaroi dje në mbledhje, në formë të prerë që askush nga deputetët të mos mungojë në seancat parlamentare, aq më tepër kur bëhet fjalë për ligje të rëndësishme.

“Të mos ndodhë siç ndodhi në seancën e fundit, kur rrezikuam për një votë. Mos e bëni siç më tha një deputet që pasi kishte shkuar në fund të botës, më çon mesazh mua që nuk mund të jem në seancë se ndodhem këtu”, – mësohet të jetë shprehur Ruçi, pa përmendur emrin e deputetit. Kjo është një thirrje e përsëritur e kreut të grupit parlamentar për mungesat e vazhdueshme të deputetëve nëpër seanca.

Edhe në seancën e fundit, votimi për rrëzimin e dekretit të presidentit mezi kapi 71 votat e maxhorancës. Ky ishte një votim që kryhej vetëm një herë dhe shumica nuk do të kishte shans tjetër për ta kaluar në votim. Por, salla e Kuvendit ishte bosh në këto momente, dhe ka qenë shumë e vështirë që të bëhej numri i nevojshëm i deputetëve. Në mbledhjen e djeshme të grupit nuk mori pjesë kryetari Edi Rama.

ZGJEDHJET NË PS
Por, dita nisi me punë shumë herët në PS. Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi dhe nënkryetarin Taulant Balla mblodhën rreth orës 08:30 të mëngjesit disa nga ministrat dhe 3 prej kryetarëve të bashkive kryesore në vend.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministrat Saimri Tahiri, Blendi Klosi dhe Lindita Nikolla ishin dje të pranishëm në këtë takim së bashku me kryebashkiakët e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës, për më shumë se 1 orë. Ata mësohet se kanë diskutuar në lidhje me ecurinë e përgatitjeve për strategjinë kombëtare të PS-së që është duke u përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme të 2017-tës.

Pas takimit, kryeministri Rama nuk ka dhënë shpjegime rreth takimit. Ajo që ka rënë në sy ishte ardhja dhe largimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me biçikletë. Ndërkohë, në rrethe të ndryshme të vendit kanë nisur tashmë përgatita për zgjedhjet në PS. Grupi i punës për ndryshimet në statut ka shpërndarë tashmë pyetësorin në bazën e partisë, ndërkohë që janë duke u diskutuar edhe emrat për zgjedhjet e brendshme në degë të ndryshme të partisë. Mbetet ende për tu saktësuar nëse zgjedhja e kryetarit të PS-së do të kalojë me një votëbesim të thjeshtë në kongresin e janarit apo do të dërgohet për votim sipas parimit “një anëtar, një votë”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: