Gjithnjë e më shumë vajzat e gratë po thyejnë mentalitetin e ashpër shqiptar, duke zgjedhur të shërbejnë nën armë. Ato janë kudo, pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare, në misione paqeruajtëse jashtë vendit, në frontin e emergjencave civile, por edhe në akademitë ushtarake më në zë të botës.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka zgjedhur t’ju urojë 8 marsin grave në uniformë, përmes një videoje ku efektive të Forcave të Armatosura kanë dhënë mesazhet e tyre për këtë ditë, si shembuj frymëzimi për të gjitha gratë shqiptare.

Në këtë video-urim, teksa jepen edhe 8 arsyet për të qenë krenarë, ministrja e Mbrojtjes vlerëson rolin e grave dhe vajzave, të cilat përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë si aleate të NATO-s.

“Shembujt frymëzues nuk i kanë munguar asnjëherë Shqipërisë. Nuk i mungojnë as sot, nuk do t’i mungojnë as nesër. Është edhe te patriotizmi dhe dashuria për atdheun ku qëndron vlera e tyre. Ndaj sot, një urim e kam për çdo grua të fortë, për çdo grua që frymëzon. Uroj të rrethohemi prej tyre, uroj të jemi një ndër to, uroj të rrisim vajza si ato”, shprehet ministrja Xhaçka në statusin e saj, në Facebook.

Ndërkaq Shqipëria po punon me shpejtësi për përmbushjen e kërkesës së Aleancës për barazi gjinore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb