Dikur ishte “Zonja nga qyteti” tani janë “Zonjat e Tushemishtit” që me mikpritjen në shtëpitë e tyre të bëjnë të ndihesh ngrohtë si në shtëpi.

Tushemishti është një fshat i vogël afër Pogradecit në Shqipëri. Ndodhet në Brigjet e Liqenit të Ohrit në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Fshati u bë i famshëm në Shqipëri pas shfaqjes për herë të parë të filmit komedi “Zonja nga Qyteti”, në të cilin një nga aktoret më të njohura dhe më të dashura shqiptare, Violeta Manushi luan rolin e Teto Ollgës.

Historia flet për lidhjet mes fshatit dhe një zonje të moshuar nga qyteti, e cila u zhvendos për të jetuar në fshat së bashku me vajzën e saj të bukur. Në kohën e komunizmit, të rinjtë e sapodiplomuar dërgoheshin në fshat për të punuar, për të fituar përvojë dhe për të kontribuar në terren. Vajza e saj Meli ishte infermiere. Teto Ollga fillimisht kishte një ndjenjë superioriteti ndaj banorëve të fshatit, por në fund ajo e gjen veten mes tyre duke punuar si kuzhiniere dhe duke kontribuar për komunitetin. Përveç se është një histori humori, filmi shfaq dhe panoramën e bukur të fshatit, kanalet e shumtë, liqenin, parkun e Drilonit dhe malet e lartë.

Tushemishti ka patur një traditë të hershme në mikpritjen e të huajve në shtëpitë e tyre. Familjet nga gjithë Shqipëria prej kohësh kanë ardhur në këtë zonë për të kaluar pushimet dhe mikpritën pikërisht në shtëpitë e banorëve të zonës. Njerëzit janë shumë miqësore, të qetë dhe kanë një buzëqeshje të çiltër.

Shtëpitë e pastra dhe të rehatshme dhe kopshtet e tyre të bukura zakonisht menaxhohen nga këto zonja. Kanalet përshkojnë gjithë fshatin, ndërsa kopshtet e shtëpive janë të mbushura me zarzavate dhe fruta origjinale të zonës. Mysafirët ne fshat gjithashtu provojnë shije të veçanta gatimi.

Disa takime të projektit “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit” janë zhvilluar në zonën e Tushemishtit. Një seminar i veçantë për promovimin e natyrës, kulturës së rajonit të Liqenit të Ohrit u zhvillua më 10-11 Maj 2016 dhe disa pjesëmarrës të këtij takimi qëndruan në shtëpitë pritëse të banorëve të Tushemishtit.

Pas një gjumi të rehatshëm në shtëpitë e pastra dhe të qeta të zonjave të Tushemishtit, për mëngjes miqve iu shërbyen petulla reçel të bërë në shtëpi, gjalpë e djathë. Barrierat e gjuhës nuk krijonin aspak vështirësi për zonjat mikpritëse të cilat gjithçka e kalonin me buzëqeshje dhe ngrohtë.

Restoranti tradicional ‘Lokali Zonja nga Qyteti” në qendër të Tushemishtit, gjithashtu në pronësi të një zonje, është shumë i frekuentuar si nga vendasit dhe vizitorët. Aty të serviret lakror i madh, tip byreku tradicional i gatuar me peta dhe barishte apo zarzavate, të shoqëruar me qofte dhe sallatëra.

Pijet lokale shoqëruese janë verë dhe raki, me një varietet special të gjelbër të ngjyrosur nga gjethet e mollës që i japin një shije unike. Tre gra, përfshi dhe pronaren, përveshën mëngët për të përgatitur lakrorin për pjesëmarrësit e seminarit të turizmit…

Miqtë u ndjenë si në shtëpi në këtë fshat të vogël, falë ngrohtësisë dhe mikpritjes së grave të Tushemishtit. Dhe ato janë vetëm disa nga Gratë e Tushemishtit.

“Një kombinim perfekt i mikpritjes dhe privatësisë totale për miqtë. Jashtëzakonisht pastër. Në këtë fshat të qetë pafundësisht ju mund të dëgjoni vetëm ujin e burimit që rrjedh nëpër kanale përgjatë rrugëve gjatë natës. Mëngjesi më i mirë që kam ngrënë prej vitesh- i thjeshtë por vërtet një produkt i veçantë lokal”,-thotë Jane Thompson ICCROM.

“Të qëndrosh në një familje, udhëtimi yt kthehet në një eksperiencë të vërtetë. Përveç se pashë vende të bukura, pata fatin të njoh njerëz dhe të shijoj mikpritjen e tyre të ngrohtë. Shumë më mirë se një hotel i ftohtë dhe anonim”, tregon Sarah Court, ICCROM. /Marrë nga lakeohrid.blogspot.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: