I dërguari i Posaçëm i Trump për marrëveshjen Kosovë- Serbi, Richard Grenell një ditë pas formimit të qeverisë Kurti i ka bërë apel asaj që të heqin menjëherë taksën ndaj Serbisë.

“Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë udhëheqësve të partive në Kosovë që heqja e tarifave ishte në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj si dhe synimeve për të tërhequr biznese të reja. Dhe udhëheqësit e partive janë pajtuar”, tha ai në një deklaratë dërguar nëpërmjet postës elektronike për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Ambasadori Grenell muajin e kaluar ndërmjetësoi një marrëveshje për vendosjen e linjes ajrore ndërmjet të dyja vendeve pas 21 vjetësh dhe hapi diskutimet për rihapjen e linjës hekurudhore ndëmrjet tyre.

“Ne po shënojmë përparim historik,” tha ambasadori Grenell. “Ka shumë të reja që do të publikohen së shpejti sepse të dy palët duan të ecin përpara. Këto lëvizje do të krijojnë një jetë më të mirë për njerëzit e rajonit”, tha ai.

Ditë më parë gjatë një vizitë në rajon, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se “Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.

Të martën edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti formimin e qeverisë së re të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, ndërsa theksoi se pret intensifikimin e diskutimeve lidhur me bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe Kosovës, reformat dhe bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb