Përfaqësuesi special i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas takimeve që pati me liderët kosovarë, ka udhëtuar drejt Beogradit, ku edhe atje pritet të zhvillojë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, shkruajnë mediat serbe.

Para se të takohet me presidentin serb, Grenell i është drejtuar gazetarëve duke thënë se ekziston një afat i shkurtër kohor për zgjidhjen e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se Trump nuk dëshiron të shpenzojë kohë dhe nuk do të lejojë që zgjedhja të zgjasë shumë nëse nuk ka përparim.

Ai theksoi se në Prishtinë ka kërkuar që të hiqet taksat, ndërkaq ka porositur Beogradin të ndalë fushatën për çnjohjet e Kosovës.
I pyetur nga gazetarët nëse është optimist se një gjë e tillë do të ndodhë, ai tha se edhe njerëzit e biznesit e qytetarët kërkojnë përparim.

“Janë gjëra që edhe njerëzit nga fusha e biznesit e dinë se duhet të ndodhin, qytetarët e zakonshëm e dinë se duhet të ndodhë, por disa politikanë janë ‘robëruar’ në mënyrën e vjetër të të menduarit dhe dëshirojnë të grinden për gjithçka. Ekziston një hapësirë shumë e vogël dhe SHBA-të do të përqendrohen që ta zgjidhin, por do të insistoj që edhe Serbia të ndalet me lobimin e saj, një gjë e tillë duhet të ndodhë. Mendoj se jemi afër që të ndodhë një gjë e tillë. Njerëzit duan të ecin përpara, të shikojnë para dhe të tejkalojnë të kaluarën”, ka shtuar Grenell në Beograd.

E pas insistimit të gazetarëve se nëse e di se si mund të arrihet marrëveshja dhe cila do të ishte zgjidhja për marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, ai tha shkurt se nuk e parashikon të ardhmen.

“Po të parashikoja të ardhmen do të luaja loto dhe do të zgjidhja numrat fitues dhe do të isha një njeri shumë i pasur. Por, nuk di. Fakti që jemi përqendruar në këtë çështje, ndiej energjinë që mund të vijmë deri të zgjidhja, por më duhet të them se shumë pak kohë kemi për këtë, presidenti Trump nuk dëshiron të humb kohë dhe nuk do të lejoj që zgjedhja të zgjasë shumë nëse nuk ka përparim. Shpresoj që Serbia dhe Kosova ta shfrytëzojnë mundësinë që tani e kanë”, ka shtuar Grenell.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb