GREQI- 17 ditë pas vrasjes së bashkëshortes, policia greke ka arritur të vërë në pranga 34-vjeçarin shqiptar, Klodi (James) Lesi. Ai është kapur pak kilometra larg qytetit të Halkidikisë, në një kasolle ku qëndronte bashkë me djalin e tij të mitur. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më 7 janar, ku Klodi Lesi vrau me thikë gruan e tij greke, ai u arratis bashkë me djalin.

Pak ditë më parë mediat greke publikuan një video të kamerave të sigurisë në rrugët e Athinës, ku shihej një burrë me një fëmijë në krahë, i cili dyshohej se ishte shqiptari Klodi Lesi. Pas raportimit të këtij lajmi, autoritetet greke rritën kontrollet në zonat ku dyshohej se fshihej ai.

Mediat greke raportojnë se djali i mitur i 34-vjeçarit ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Disa herë pas arratisjes, familjarët i bënë thirrje 34-vjeçarit të dorëzohej. Dyshohet se ngjarja ndodhi pas një konflikti mes tij dhe bashkëshortes pasi ata ishin në proces divorci. Madje vëllai i Klodi Lesit, deklaroi se gruaja donte t’i merrte fëmijët. Dyshohet se ky ka qenë edhe shkaku i ngjarjes së rëndë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: