ATHINE-Ish-ministri i Financave në qeverinë e Papandreut, Jorgo Papakonstandinu do të dërgohet në gjyq, për akuzën ‘mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve publike’. Papakonstandinu akuzohet se hoqi nga lista “Lagarde” emrat e 3 të afërmve të tij. Në të ashtuquajturën lista ”Lagarde” figuronin rreth 2000 emra personash, të cilët kishin llogari të fshehta bankare në bankat e Zvicrës për t’iu shpëtuar tatimeve, dhe ish-ministri hoqi prej saj emrat e 3 të afërmve të tij. Madje dyshohet se ai e mbajti listën për shumë kohë të fshehur, duke mos e dorëzuar atë tek asnjë institucion i shtetit dhe i drejtësisë. Por Papakonstandinu i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke thënë se është viktimë e një përpjekje për inkriminimin e tij dhe për të fshehur mëkatet e sistemit sipas tij. Gjyqi pritet të zhvillohet brenda 2 muajsh dhe ish-ministri rrezikon burgun.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb