Shqiptarët në Greqi janë treguar indiferentë ndaj zgjedhjeve europiane pasi kanë votuar vetëm 1/10 e votuesve. Fundoset SYRIZA dhe e majta greke, bashkë me aspiratat e shqiptarëve në Greqi. Numri i shtetasve shqiptarë me shtetësi greke llogaritet në 235.000.

Nga këta, emigrantë të brezit të parë dhe të dytë të emigrantëve janë 90.000 në të gjithë Greqinë, prej të cilëve të drejtë vote kanë rreth 76.000 shqiptarë.
Vitet e krizës ekonomike, nga Greqia llogaritet të jenë larguar nga 5000 deri në e shumta 10.000 prej tyre, shifrat nuk përcaktohen dot pasi ka dhe një numër studentësh që nuk konsiderohen emigrantë në vende të tjera, jashtë Greqisë.

Në zgjedhjet e djeshme europarlamentare dhe lokale kanë votuar vetëm 7000 emigrantë shqiptarë me pasaportë greke, të tjerët thjesht injoruan këtë shans të madh për evidentimin e të drejtave të tyre në BE dhe Greqi.

Për sa i përket homogjenëve grekë të Shqipërisë, gjithsej janë pajisur me pasaportë greke rreth 100.000, nga të cilët jetojnë në territorin grek rreth 60.000. Megjithëse të dhënat zyrtare për shifrat e minoritarëve nuk janë publikuar akoma, nga të dhënat e përgjithshme rezulton se nuk kanë votuar mbi 15.000 homogjenë shtetas grekë.

Indiferentizmi i ndjeshëm ndaj votës, jo vetëm për kandidatët shqiptarë, por zgjedhjet në përgjithësi, përbën një element tepër shqetësues, që do duhet të motivonte së tepërmi si drejtuesit e komunitetit ashtu dhe faktorin politik në Greqi, por edhe në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb