GREQI- Ish-kryeministri i  Greqisë, Alexis Tsipras i kërkoi mbështetësve të tij, ti japin një mandat të ri për të përmbushur transformimin politik të vendit. Kështu, Tsipras vetëm 10 ditë pasi dha dorëheqjen si kryeministër dhe fill pas betimit të qeverisë së përkohshme, ka nisur fushatën për në zgjedhjet e 20 shtatorit, ndërsa Syriza sipas exit polleve, po humbet çdo ditë e më shumë mbështetjen e popullit.

Në një takim me anëtarët e saj në të gjithë vendin, Tsipras tha se drejtimi i qeverisë për një kohë aq të shkurtër i dha atij eksperiencën e mjaftueshme për të përmbushur reformat.

“Sot kemi më shumë eksperiencë, jemi më të matur, të armatosur me një plan 4-vjeçar, një plan që bazohet në realitet dhe nevoja konkrete. Jemi të angazhuar të luftojmë për të implementuar reformat. S’do të rrimë në vend dhe të përgatitemi për gjërat e këqija që mund të na ndodhin. Do të qëndrojmë përballë tyre dhe do ti ndalojmë”, tha Tsipras.

Ai dha dorëheqjen në mënyrë krejt të papritur javën e shkuar, pak ditë pas miratimit të këstit të ndihmën prej 86 miliardë euro nga partnerët ndërkombëtarë, marrëveshje që theu Syrizën pasi mbi 20 deputetë të saj u larguan duke krijuar një parti të re.

Por sipas sondazheve më të fundit, Tsipras rrezikohet vërtet në këto zgjedhje sepse shumica e grekëve e kundërshtojnë kërkesën e tij për një mandat të ri, kryesisht pas mënyrës sesi u zhvilluan bisedimet me kreditorët.

Zgjedhjet e parakohshme në Greqi do të mbahen më 20 shtator dhe Tsipras i mbeten 3 javë kohë për të rifituar besimin e grekëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: