Nga ANILA JOLE* ATHINË- Greqia përshpejton zgjedhjet presidenciale, të cilat me Kushtetutë duhet të zhvilloheshin në muajin shkurt të vitit tjetër, duke afruar kështu rrezikun edhe për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri Antonis Samaras dhe nënkryetari i qeverisë Evangelos Venizelos, pasi informuan presidentin e Republikës Karolos Papulias, kërkuan nga kryetari i parlamentit të ecet sa më shpejt me procesin e zgjedhjeve presidenciale. Kandidati i qeverisë për presidentin mund të jetë Stavros Dimas, ish-komisioner i BE për disa vite më radhe dhe ish-ministër në qeverinë e Lukas Papadimos.

Votimi i parë ku kërkohen 2/3 e votave të parlamentit me 300 deputetë, do të bëhet në datën 17, i dyti më 23 dhjetor, ndërsa i treti që kërkon 180 vota, të kryhet në 29 dhjetor. Nëse nuk arrihet numri i duhur i votave, brenda 10 ditësh parlamenti grek shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të parakohshme, në 30 ditët e ardhshme.

Kështu Greqia rrezikon të shkojë në zgjedhje. Qeveria kritikon opozitën që sipas saj, kërkon të pengojë zgjedhjen e presidentit të republikës dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, duke minuar pozitën negociuese të Greqisë dhe duke emetuar mesazhe pasigurie në tregje.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb