Mediat greke i kanë bërë jehonë shfaqjes së një parulle për Çamërinë në ndeshjen Shqipëri­Zvicër. Banderola u shfaq në sektorin e tifozëve zviceranë për pak çaste dhe mbi të shkruhej: “Greqia është fajtore. Kujtoni gjenocidin në Çamëri, 100.000 viktima shqiptarë”.

Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm të Greqisë, ka reaguar pas interesimit të mediave për banderolën e shpalosur.

Greqia e cilëson akti si provokativ dhe me përmbajtje nxitëse dhe që sipas tyre përbën një “akt të pacipë”.

“Ky është një provokim flagrant që shkel rregullat e UEFA-­s, e cila është përgjegjëse për parandalimin e mbajtjes së sloganeve me përmbajtje provokuese dhe duhen marrë masa të menjëhershme për të ndëshkuar përgjegjësit”, thuhet në reagimin e publikuar nga Ministria e Jashtme greke.

Për këtë arsye, qeveria greke ka bërë ankesë pranë UEFA­-s dhe organizatorëve francezë, nga të cilët sipas autoriteteve greke pritet një shpjegim pse ka ndodhur një gjë e tillë, shkruan ‘panorama’.

Gjithashtu, Greqia do t’i kërkojë qeverisë shqiptare që të dënojë këtë veprim që për vendin fqinj është i papranishëm dhe provokues pasi sipas tyre zyrtarisht ata kanë pranuar se nuk ka çështje “çame”.
“Është e qartë se këto veprime provokative janë ndërmarrë nga grupet margjinale që janë pakënaqur me afrimin greko­shqiptar dhe nga pranimi zyrtar nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare se nuk ka çështje “Çame”, përfundon reagimi i palës greke.

Mediat greke
Pas publikimit të këtyre imazheve, mediat greke shkruajnë se qeveria e Athinës është shumë e indinjuar.
Gazeta “Kathimerini.gr” citon burime në Ministrinë e Jashtme greke duke thënë se ministri Kotzias “do të marrë në zyrë të dy ambasadorët për t’i shprehur indinjimin e qeverisë greke”.
Një qëndrim i tillë pritet t’i dërgohet edhe “qeverisë së futbollit europian” për shfaqjen e të tillave mesazheve në ndeshje sportive. Nga ana tjetër, televizioni “Mega” thotë se qeveria greke i ka nisur një notë proteste UEFA­s dhe kërkon shpjegim nga organizatorët francezë për shfaqjen e të tilla mesazheve në finalen e një evropiani. “Qeveria greke tashmë me anë të përfaqësuesve të saj ka nisur një notë proteste të rreptë në UEFA dhe te organizatorët franceze nga të cilët presin shpjegime se pse, pavarësisht masave të shtuara të sigurisë nuk arritën të parandalojnë hyrjen e kësaj parulla provokuese”, thuhet në faqen e “Megatv.com”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: