Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka dënuar grisjen e flamurit turk në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) nga ana e deputetit grek Ioannis Lagos.

“Greqia dënon në mënyrën më të ashpër çdo lloj veprimi ofendues që bëhet kundër simboleve kombëtare, ku në këtë rast është simboli i Turqisë. Veprimet e papranueshme të përfaqësuesve të neo-nazizmit janë larg traditave të Greqisë dhe Evropës. ‘Agimi i Artë’, që shoqëria greke e ka lënë jashtë Parlamentit, është në përpjekje për të reklamuar veten e tij. Neo-nazistët përfaqësojnë vetëm veten e tyre”, thuhet në deklaratën e ministrisë greke lidhur me provokimin e Lagos në PE kundër Turqisë.

Deputeti i PE-së me dosje kriminale

Deputeti racist grek në PE, Ioannis Lagos, në sesionin parlamentar në lidhje me gjendjen e refugjatëve në ishujt grekë, bëri një provokim të madh duke grisur flamurin e Turqisë. Ndaj Lagos i lindur në vitin 1972 në Greqi është duke u zhvilluar një hetim në akuzat për “themelimin, drejtimin e një organizate kriminale, si dhe anëtarësim në organizatë”.

Lagos mes viteve 2012-2019 nga partia neo-naziste greke “Agimi i Artë” ishte zgjedhur si deputet i PE-së ndërsa pasi dha dorëheqje nga kjo parti u bë kryetar i partisë “E. La. Syn” (Ndërgjegjja Popullore Kombëtare) të cilën e themeloi vet ai.

Fashisti Lagos në PE është deputet i pavarur ndërsa më parë në Greqi ishte arrestuar dy herë për shkak të aktiviteteve të tij kur ishte anëtar i “Agimit të Artë”.

Ai është dënuar me 8 muaj burg në vitin 2019 për arsye se ka kryer një krim në vitin 2013.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb