ZHVILLIMET ME TE FUNDIT
ATHINE– Greqia dështoi të paguante borxhin ndaj FMN-së deri mbrëmë në mesnatë, duke u bërë kështu vendi i parë i zhvilluar që dështon të shlyejë borxhin ndaj FMN-së.

Ndërkaq qeveria greke i kërkoi Eurozonës një marrëveshje të re për borxhin, vetëm disa orë para skadimit të afatit, me anë të së cilës kërkon ndihmë 2-vjeçare brenda euros, nga Mekanizmi i Stabilitetit Evropian. Pasditen e sotme, kryeministri grek Alexis Tsipras ka mbajtur një fjalim për referendumin e së dielës, teksa limitet e tërheqjes së parave nga qytetarët grekë nëpër banka kanë shënuar edhe pakënaqësitë e para. Tsiprasi u premtoi grekëve se pensionet dhe pagat e tyre do të jenë të sigurta dhe u bëri thirrje të votojnë “Jo” në referendum.

Dijsselbloem: Afati kohor për Greqinë ka përfunduar
Ora 20:15- Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të programit dhe se afati kohor për Greqinë ka përfunduar. Pas mbledhjes së Eurogrup, ashtu siç edhe pritej, Dijsselbloem ka thënë “rikonfirmuam që nuk do të ketë shtyrje të programit”.

“Situata në Greqi nuk ka ndryshuar. Afati kohor për Greqinë ka përfunduar. Do të presim rezultatin e referendumit në Greqi. Nuk do ketë bisedime për Greqinë, deri pas referendumit. Do të marrim për bazë rezultatin e referendumit”, ka qenë deklarata e Dijsselbloem.

Eurogrup vendos të mos mblidhet deri pas referendumit
Ora 19:10– Eurogrup vendos të mos mblidhet deri pas referendumit. Telekonferenca e Eurogrup me Greqinë zgjati rreth 1 orë. Ndërkohë mediat e huaja shkruajnë se ekziston një klimë e rëndë për Greqinë në Eurogrup. Ndërkohë Eurogrup nuk do të marrë një vendim deri pas referendumit që mbahet të dielën.
“Eurogrup pret verdiktin e popullit para se të mblidhet. Deklarata e Tsipras nuk e ndihmoi bisedimet”, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Përfundon mbledhja e Eurogrup për situatën në Greqi
Ora 18:41- Përfundon Mbledhja e Eurogrup për situatën në Greqi, ndërkohë pritet rezultati zyrtar i mbledhjes së Eurogrupit për Greqinë dhe një deklaratë e Dijsselbloem për ecurinë e mëtejshme. Nga ana tjetër, Kreu i KE Juncker ka pohuar se është në kontakt të vazhdueshëm me grekët. Menjëherë pas mbledhjes ka folur Ministri i Financave i Sllovenisë, Peter Kazimir i cili ka deklaruar se do të pritet rezultati i referendumit për bisedime të mëtejshme.

Merkel konferencë me Renzin: Për Greqinë kemi lënë dyert hapur për negociata
Ora 17:20- Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka dalë në një konferencë për shtyp me kryeministrin italian Matteo Renzi, nga ku ka deklaruar se për Greqinë dyert për negociata janë lënë të hapura.

“Për Greqinë kemi lënë dyert hapur për negociata. Kemi nevojë për një shtet që bën reforma të gjera, reforma që do të çojnë në rritje, siç ndodhi në vende të tjera”, tha Merkel.

Ndërsa kryeministri italian Matteo Renzi tha se duhet një zgjidhje për çështjen e Greqisë, por vuri në dukje shqetësimin e madh për terrorizmin.

“Për Greqinë, gjithkush ka pikëpamjet e tij. Partneriteti ka vështirësitë e veta. Në ditët në vijim ne mund të gjejmë zgjidhje. Nëse secili bën atë që do, nuk arrijmë askund. Greqia është një çështje e rëndësishme dhe duhet ta zgjidhim. Por tani më shqetëson më shumë terrorizmi sesa Greqia. Në shtëpinë e përbashkët ka rregulla”, tha Renzi.

Tsipras: Referendumi mbetet, votoni “JO”
Ora 16:41- Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një deklaratë për mediat është shprehur se referendumi që do të mbahet më 5 korrik, nuk ka të bëjë me qëndrimin ose jo të Greqisë në Eurozonë, por përbën një mundësi që populli të zgjedhë vetë nëse duhet ta pranojë marrëveshjen e ofruar. “Qëllimi ynë është një zgjidhje e qëndrueshme” është shprehur Tsipras, teksa shtoi se pas zhvillimit të referendumit, ditën e hënë, Greqia do të ulet sërish në tryezën e bisedimeve.

“Kreditorët e huaj donin masa shtrënguese pa siguruar borxhin. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë në të cilat ndodhemi por ato janë të përkohshme dhe do të bëjmë të pamundurën për t’i kaluar ”, tha kryeministri grek. Ai kritikoi kundërshtarët e tij kur tha se “ata që duan një Evropë autoritare që nuk respekton demokracinë, nuk janë largpamës”.

Më tej Tsipras argumentoi se Irlanda fitoi kushte më të mira nëpërmjet referendumit. “Unë nuk kuptoj pse nuk japin kohë që njerëzit të zgjedhin të ardhmen e tyre. Çuan bankat tona në asfiksi për të bërë presion mbi qeverinë dhe kjo është e papranueshme për një Evropë të solidaritetit”, deklaroi kryeministri grek. Tsipras nuk i kurseu akuzat edhe për politikën greke, duke deklaruar se sistemi i brendshëm politik çoi në falimentim dhe përpiqet të hedhë barrën tek qeveria duke ëndërruar kthimin në pushtet.

Në kushtet e një paniku për depozitat bankare, Tsipras garantoi se pagat dhe pensionet për qytetarët nuk do të vonohen dhe se paratë e depozituara në banka janë të sigurta. “T’iu themi jo recetave që shkatërrojnë Evropën. “Jo nuk do të thotë thyerje me Evropën, por kthim në vlera”, u shpreh kryeministri grek. Duke përfunduar Tsipras deklaroi se demokracia nuk është një grusht shteti dhe falënderoi qytetarët për durimin e treguar në këto javë të vështira.

KiE: Referendumi grek nuk i përmbush standardet. Schauble: Nuk i detyrojmë grekët
Ora 14:35-Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian deklarojnë se referendumi grek nuk është i vlefshëm pasi nuk i plotëson standardet ndërkombëtare.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schauble është shprehur se askush nuk i ka detyruar grekët që të hyjnë në program. “Të gjithë jemi dakord që jemi në një situatë të rëndë, por ne nuk i detyrojmë grekët, termi është i gabuar. Askush nuk ka hyrë me forcë në program, ne negociuam.”- është shprehur Schauble. Ndërkohë pritet një dalje publike e kryeministrit grek Aleksis Tsipras.

Merkel: S’ka negociata para referendumit grek
Ora 13:15-“Nuk ka diskutim mbi një program të ri me Greqinë, para referendumit”, deklaroi kancelarja Merkel në një fjalim drejtuar parlamentarëve gjermanë. “Natën e kaluar kemi marrë një kërkesë nga Aleksis Tsipras për një program të ri, tha ajo, por ne nuk mund të marrim asnjë vendim pa miratimin e parlamentit gjerman”. Ajo shtoi se një evropian i mirë është ai që respekton traktatet dhe ligjin dhe për të ndihmuar stabilitetin e eurozonës”. Duke vijuar deklaratën e saj Merkel tha se “Greqia ka të drejtë të bëjë referendum, por edhe 18 vendet e tjera të eurozonës kanë të drejtë të reagojnë” dhe sipas saj, “e ardhmja e Evropës, nuk mund të luhet me zare”. “Dera është gjithmonë e hapur për Greqinë,” argumentoi Merkel, duke shtuar se priten ditë të trazuara për ne, sidomos për qytetarët grekë”.

Eurogrupi shtyn pasdite mbledhjen për Greqinë
Ora 11.55 – Telekonferenca e Eurogrupit për Greqinë, e planifikuar për në ora 12.30 shtyhet për në ora 18.30. Qeveria greke ka bërë propozime të reja, duke kërkuar kredi nga mekanizmi i Financimit ESM. Dijssebloem: Kushtet do të jenë të vështira për paketën e re të ndihmës.

Greqia do të pranojë kushtet e kreditorëve
Ora 11.14-Greqia do të pranojë propozimet e kreditorëve me disa përjashtime. Lajmi bëhet i ditur nga Financial Times, që zbulon letrën që kryeministri grek Aleksis Tsipras iu ka dërguar zyrtarëve të Brukselit ku shkruan se Greqia do të pranojë të gjitha reformat në sistemin e taksave, me përjashtim të TVSH-së në masën 30% në ishuj si dhe ndryshimin e moshës së pensionit në 67 vjec që nga muaji tetor. Nuka k një njoftim zyrtar nga Athina për këtë letër, por Financial Times, publikon pjesë prej saj.

Papandreu: Do të jetë katastrofë
Ora 10:00-“Shpresoj me gjithë zemër që Tsiprasi të arrijë një marrëveshje të orës së fundit, që t’i lejojë të heqë dorë nga referendumi, apo të bëjë fushatë për PO-në. Nuk mund ta ndajmë Greqinë. Nëse fiton JO-ja, rrezikojmë një katastrofë: do të rrëshkasim dalëngadalë jashtë Euros. Dhe do ta paguajnë pikërisht të varfërit dhe pensionistët që kryeministri thotë se i mbron”. Për ish kryeministrin grek, George Papandreou, të flasësh për referendumin është si të hedhësh kripë mbi një plagë të hapur. Në nëntor 2011, kur ai thirri një referendum, ku do u kërkonte grekëve nëse donin të qëndronin në Euro apo jo, Trojka i nxorri kartonin e kuq. Duke e detyruar të japë dorëheqjen. Dhe këto ditë, për të janë si një lloj deja vu-je që e ndjek me ankth. I gatshëm të rikthehet në pistë me partinë e tij të re, To Kinima.

Greqia s’i paguan borxhin FMN-së
Ora 00:10-Greqia ka rënë në krizë të thellë financiare, pasi programi i ndihmës, në të cilin është mbështetur për pesë vjet, ka skaduar mesnatën e 30 qershorit.

Greqia po ashtu nuk ka arritur t’i shlyejë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 1.6 miliard eurosh.

Rrjedhimisht, Greqia është bërë vendi i parë i zhvilluar që dështon t’i paguajë këstet FMN-së.

Vendi i fundit që ka dështuar ka qenë Zimbabve më 2001.

Ministrat e Financave të Eurozonës nuk kanë pranuar kërkesën e Greqisë për t’i zgjatur afatin e paketës së ndihmës. Kreditorët ndërkombëtarë kanë kërkuar reforma nga Greqia, si rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve të mirëqenies, si kusht për zhbllokimin e fondeve të ndihmës.

Dështimi për të paguar borxhet mund të çojë në daljen e Greqisë nga Eurozona.

Në një konferencë urgjente mes telefonit, ministrat evropianë gjithashtu reaguan me qetësi ndaj një kërkese të papritur nga Z. Tsipras për një plan të tretë shpëtimi prej 29.1 miliardë euro, drejtuar fondit të shpëtimit të eurozonës prej 500 miliardë eurosh të martën.

Alex Stubb, ministri i financave finlandez, shkroi në Twitter se kërkesa për një shpëtim të ri do të trajtohet “përmes procedurave normale”, një sinjal se nuk do të trajtohet me urgjencë. Politikanët gjermanë, tha kancelarja Angela Merkel, do të presin deri pas referendumit para se të fillojnë konsultimet me Athinën.

Refuzimi i fundit i një zgjatjeje të ndihmës erdhi teksa kriza financiare në Athinë po përshkallëzohet, dy ditë pasi qeveria ka imponuar kontrollet e kapitalit dhe ka mbyllur bankat lokale. Deri të martën pasdite, disa ATM kishin mbetur pa para, ndërsa të moshuarit janë duke luftuar për të mbledhur pensionet e tyre.

Ndërkohë, huadhënësit e lëkundur të vendit po përgatiten për një takim potencialisht të rëndësishëm të Bankës Qendrore Evropiane, të mërkurën, pasi të skadojë paketa shpëtuese aktuale e Athinës. Ekziston frika në Greqi që Këshilli Drejtues i BQE-së në Frankfurt mund të rrisë sasinë e kolateralit të kërkuar për kredi emergjente që duhen për të mbajtur në jetë bankat greke – një veprim që mund të përmbysë të paktën një nga institucionet financiare të vendit.

Kërkesa e fundit-të Athinës për një plan të ri duket se kishte për qëlim që vendi të vazhdonte të mbetej në bordin e BQE-së, duke qenë se pa një program në vend pa negociata në proces, banka mund të jetë e detyruar të marrë një linjë të ashpër.

(m.k/ed.me/d.b/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb