Ish-presidenti Ilir Meta ka folur në studion e “Open” në News24 në lidhje me çështjen e detit. Ai ka zbuluar se ka folur për këtë çështje edhe me presidentin e ri të vendit, zotin Bajram Begaj.

Ilir Meta: Në krye të shtetit garantoja respektimin e Kushtetutës dhe sjellja e ekipit negociator të përputhej me Kushtetutën.

Veprime e mia kanë qenë të mirëmenduara dhe janë në mënyrë brilante shumë të argumentuara dhe mirëdokumentuara. E ia kam çuar Parlamentit, uroj të merren seriozisht. Shqetësimet e mia ia kam bërë të ditur edhe presidentit të ri.

Robert Rakipllari: Keni folur me presidentin e ri e i keni thënë gjëra që nuk janë bërë publike?

Ilir Meta: I kam lënë letrën drejtuar Parlamentit. Diçka më tepër ia kam thënë dhe do t’ia them dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj në çdo moment me presidentin e ri dhe Parlamenti, se kam bërë disa veprime për të mbrojtur interesin e Shqipërisë, jo për t’ia hedhur Greqisë. Të gjitha lojërat e Ramës me këtë çështje kanë qenë shumë të dëmshme për vendin dhe i kam thënë kur pala tjetër ka kërkuar negociatorëve të mbajnë qëndrim politik, i kam thënë eja merr mandat politik të jap autorizim të ri. Sepse ata nuk kanë autoritet politik.

Erl Murati: Kjo çështje u rindez kur Dendias tha se Rama ju kishte bërë ju fajtor. Keni idenë se pse ka ndodhur kjo?

Ilir Meta: Ju habit kjo gjë që më fajëson mua? Nuk është gjë e re që Rama nuk do t’ia dijë as për Kushtetutë e as për vendim të Gjykatës Kushtetuese. Çështja është tërësisht e zgjidhshme në mënyrë korrekte për të 2 palët, por Rama e ka ngatërruar sa herë ka dashur të plotësojë axhendën e tij dhe të personave rreth tij.

Erl Murati: A keni pasur kontakt me palën greke pas keqkuptimit?

Ilir Meta: Nuk ka asnjë keqkuptim. Pala greke e di shumë mirë qëndrimin tim. Rama ka thënë që çdo merak që keni do ta rregullojmë, ai po na pengon. Palës greke i intereson të bëjë sikur nuk e di qëndrimin tim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb