GREQI – Poshtë shpateve të gjelbra të malit të Parnasit në Greqinë qendrore, qyteza e vogël e Distomos është përplot me njerëz, gjë që është e pazakontë. Vizitorët kanë ardhur për të përkujtuar 70 vjetorin e masakrës së Distomos, një nga krimet më famëkeqe naziste në këtë vend, në të cilën më shumë se 200 civilë u ekzekutuan.Në foto: Muzeu i viktimave të Fashizmit në Distomo, Greqia qendrore.

Në një kodër ku gjendet një memorial për viktimat, nxënës të shkollave të mesme nga Greqia dhe Gjermania shfaqin “Fëmijët e Luftës”, një skenë teatrale për paqen. Fotografi në trupave naziste mbi Akropolin e Athinës dhe fotografi më të reja të fëmijëve të vrarë të Sirisë projektohen në sfond. Të pranishmit shhikojnë në heshtje të plotë.

Por në kafenetë e qytezës, atmosfera është normalisht më e zhurmshme dhe më e politizuar. Herët a vonë, emri i Maria Sideri-Tsamit përmendet.

Tri anëtarë të familjes Sideri-Tsami u vranë në masakrën e Distomos. Megjithatë 23 vjeçarja qe kandidate në zgjedhjet vendore të majit të vitit të kaluar, për Agimin e Artë, partinë gjerësisht të cilësuar si neo-Naziste që është ngritur në skenën politike të Greqisë gjatë viteve të fundit.

Sideri-Tsami ka deklaruar se qe rezistenca e partizanëve komunistë shkaku i masakrës, duke thënë se ata i provokuan nazistët duke organizuar një pritë. “Ata e dinin se gjermanët mund të ktheheshin në fshat për të vrarë njerëz nëse sulmoheshin,” tha ajo në një intervistë me një bloger vendës i cili e filmoi atë te memoriali.

Përqafimi i të djathtës ekstreme nga Sideri-Tsami mund të duket e jashtëzakonshme. Por edhe njerëz me paraardhës të vrarë nga Nazizmi apo me tradita familjare të së majtës të farkëtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore janë bashkuar me Agimin e Artë, parti që ka shfrytëzuar zemërimin ndaj krizës së thellë ekonomike të Greqisë dhe zhgënjimin me partitë politike tradicionale.

Në fushatën zgjedhore, Agimi i Artë me krenari shfaqi videon e intervistës së Sideri-Tsamit në faqen e vet të internetit. Por deklarata e saj u prit me më pak entuziazëm në qytezë.

“Është e turpshme,” thotë 84 vjeçarja Maria Sechremeli, një kushërirë e largët e Sideri-Tsami. Sechremeli i mbijetoi masakrës duke u fshehur nën trupin e një fqinji të ekzekutuar. “Komunistët nuk vranë Distomot, komunistët kishin dalë të luftonin armikun,” thotë ajo. Shenja e një plumb i marrë nga masakra gjendet ende në këmbën e Sechremelit. Çdo vit, ajo fillon të mos ndjehet mirë dy ditë para përkujtimores.

Në përkujtimoren e këtij viti, ajo ka marrë dy aspirina që në drekë për të ulur presionin e gjakut. E ulur në tavolinën e dhomës së ndenjes, Sechremeli thotë se ajo nuk pëlqente të fliste për masakrën me nipërit e saj, duke mos pasur dëshirë që t’i trondiste apo që të mbante gjallë urrejtjen prej asaj epoke. Por ajo ndryshoi mendim pasi u alarmua nga ngritja e Agimit të Artë.

“A duan ata më të mirën për Greqinë? Duke vrarë njerëz? Duke bërë të gjithë ato gjëra të shëmtuara apo duke kërcënuar në televizor?” thotë ajo për këtë parti. “Ti e kupton vetë se çfarë lloj njerëzish janë atje.”

Pas shumë dekadash në periferi të skenës politike, Agimi i Artë tërhoqi vëmendje shumë më të gjerë në vitin 2010 me axhendën e vet nacionaliste, anti-emigrante dhe shpesh të dhunshme. Media dhe akademikët e kanë etiketuar partinë si neo-naziste apo fashiste por anëtarët e saj mohojnë çdo lloj lidhjeje me Nacional Socializmin.

“Për mua, është e gabuar të mbash qëndrim ideologjik për shkak të asaj se çfarë ka ndodhur në të shkuarën,” – thotë anëtari i Agimit të Artë Nikos Kourakos. Ngritja e partisë përkoi me një rritje të paprecedent të sulmeve racore kundër emigrantëve.

Kjo dhunë kaloi përgjithësisht e pandëshkuar për shumë vite deri sa një njeri me lidhje të ngushta me Agimin e Artë vrau reperin antifashist Pavlos Fyssas në një lagje të Athinës në shtator 2013. Vrasësi u arrestua dhe qeveria nisi një fushatë shtypjeje kundër kësaj partie.

Sot, gjashtë zyrtarë të lartë të partisë, përfshirë udhëheqësin Nikos Michaloliakos, janë në burg në pritje të gjykimit për akuzat e drejtimit të një organizate kriminale. Gjyqi, të cilin partia e sheh si persekutim politik, pritet të fillojë më vonë këtë vit.

Pavarësisht gjyqit të pritshëm, skena politike e Greqisë ka qenë kaq e ngatërruar sa Sechremeli thotë se është e frikësuar se Agimi i Artë mund të marrë pushtetin dhe të ndezë një luftë të re civile.

Në zgjedhjet e fundit, ajo votoi për një parti të majtë, si gjithmonë. Bashkëshorti i saj i ndarë nga jeta tashmë u bashkua me rezistencën guerilase të kohës së luftës për të çliruar Greqinë nga pushtimi gjerman. Ai përqafoi komunizmin në atë kohë dhe mbeti besnik ndaj komunizmit për të gjithë jetën.

Historia e kësaj familjeje është tipike për shumë njerëz në Greqi – traditat politike u themeluan në Luftën e Dytë Botërore dhe u ruajtën për shumë gjenerata më pas.

(Marrë me shkurtime nga Reporter.al)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: