GREQI- Autoritetet greke kanë nisur evakuimin e mijëra emigrantëve të bllokuar në një kamp të improvizuar në Idomeni, në kufirin verior me Maqedoninë.

Mësohet se operacioni për evakuimin e emigrantëve ka filluar sot herët, ku sipas dëshmitarëve, automjetet policore dhe autobusët po largojnë njerëzit nga kampi, në mënyrë të organizuar.
Sipas prestigjiozes BBC, më shumë se 8 mijë njerëz kishin mbetur të bllokuar në atë kamp, pas mbylljes së kufirit të Maqedonisë.

Mëngjesin e sotëm ka nisur evakuimi i refugjatëve të parë, të cilët do të çohen në zonën industriale, në periferi të Selanikut dhe zona të tjera të Greqisë.

Autobusët e parë me refugjatë janë larguar në mëngjes, ndërkohë që operacioni i zhvendosjes së tyre po vazhdon pa probleme.

Ndërkaq, forca të shumta policie po ndjekin operacionin e zhvendosjes.

Mësohet se fillimisht po bëhet evakuimi i familjeve me fëmijë, dhe nuk ka kundërshtime nga refugjatët për largimin nga kampi.

Tashmë refugjatët e shohin pa kuptim qëndrimin në Idomeni dhe shpresat për hapjen e kufirit janë bërë zero.

Ndërkohë ka edhe një numër refugjatësh nuk duan të largohen. Evakuimi i tyre do të vazhdojë rreth një javë, me dëshirë.

Sakaq, emigrantët, kryesisht nga zonat e konfliktit në Siri, Irak dhe Afganistan, kanë refuzuar të zhvendosen nga ajo pjesë, pavarësisht kushteve të vështira që kanë pasur në tenda.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: