Greqia do të ndërtojë dy kampe të reja të përkohshme për pritjen e qindra migrantëve, të mbërritur këto ditët e fundit pas ndryshimit të politikës së Turqisë, njoftoi sot ministri i Migracionit.

“Ne do të ndërtojmë dy kampe të mbyllura në rajonin e Serres dhe në rajonin e Athinës, me 1 000 vende”, deklaroi Notis Mitarachi për stacionin televiziv, Skai TV.

“Ne kemi nevojë për mbështetjen e popullsisë lokale. Ne nuk mund t’i lëmë të gjithë këta njerëz në ishuj”, shtoi ai.

Këto kampe do të presin azilkërkuesit e mbërritur pas 1 marsit, pas njoftimit nga Turqia se nuk do të pengonte më refugjatët apo migrantët të niseshin drejt Greqisë apo pjesëve të tjera të Europës.

Më shumë se 1 700 migrantë kanë mbërritur këtë javë në Lesbos dhe në katër ishujt e tjerë të Detit Egje duke iu shtuar 38 000 migrantëve të tjerë të pranishëm tashmë duke mbipopulluar kampet e refugjatëve në kushte shumë të këqija.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb