Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dhendias, ka bërë një paralajmërim të fortë për Shqipërinë, teksa rikthen sërish vëmendjen te vrasja e ekstremistit Kostandinos Kacifas, në nëntor të vitit të kaluar nga policia shqiptare në Gjirokastër, pasi hapi zjarr ndaj tyre.

Duke e lidhur ngjarjen me perspektivën evropiane të vendit tonë, kryediplomati grek thekson se kjo është një çështje e rëndësishme, dhe se pala shqiptare duhet të përfundojë hetimet dhe të publikojë sa më shpejt të jetë e mundur raportin që do hedhë dritë mbi të vërtetën.

“Ministria e Jashtme greke ka treguar dhe vazhdon të tregojë seriozitet dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjes së rëndësishme të K. Katsifas. Ai rregullisht informon dhe sensibilizon partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje, si dhe për çdo zhvillim që ndikon negativisht në grekët tanë në Shqipëri.

Pozicioni ynë i vendosur, i cili është ngulitur fort, është se mbrojtja efektive e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek (EEU) ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet bilaterale greko-shqiptare, por edhe, në veçanti, perspektivën evropiane të Tiranës.

Athina i ka bërë të qartë palës shqiptare se hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesa të mëtejshme, raporti i hollësishëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes dhe kjo do të çojë në dhënien e drejtësisë, por dhe sigurisë për minoritetin kombëtar grek”, ka deklaruar kryediplomati grek.

Më tej, ai ka theksuar se falë përpjekjes greke, nevoja për zbardhjen e plotë të çështjes Kacifas është regjistruar në raportin vjetor të Parlamentit Evropian për Shqipërinë.

Sipas tij, autoritetet shqiptare duhet të hetojnë në mënyrë të plotë dhe transparente faktet që çuan në vdekjen e Kacifa, duke vënë në dukje se zhvillimet në këtë fushë monitorohen nga afër nga Komisioni Evropian. Mediat greke shkruajnë se kryediplomati ka prejardhje nga Himara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb