Tetëdhjetë vjet pas pushtimit nga Gjermania të Greqisë, në Luftën e Dytë Botërore, qeveria në Athinë ka përsëritur kërkesën e saj për negociata mbi dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara.

Përpara përvjetorit të luftës, të martën, Ministria e Jashtme greke tha se çështja e kompensimit është ende në lojë.

“Pyetja mbetet e hapur derisa kërkesat tona të plotësohen. Këto kërkesa janë të vlefshme dhe aktive dhe ato do të pohohen me çdo mënyrë”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Alexandros Papaioannou.

“Negociatat do të kontribuonin shumë pozitivisht në promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve greko-gjermane”, theksoi ai.

Çështja afatgjatë u ndez përsëri në 2019, kur Greqia i dërgoi Gjermanisë një notë diplomatike duke kërkuar që Berlini të diskutonte dëmshpërblimet me Athinën.
Qeveria e kryeministrit aktual konservator Kyriakos Mitsotakis riafirmoi në janar 2020 që çështja e dëmshpërblimit konsiderohej ende e hapur.

Gjermania naziste pushtoi Greqinë dhe Jugosllavinë më 6 prill 1941. Gjatë vitit 1944, gjermanët kryen masakra të shumta në Greqi. Dhjetëra mijëra civilë u vranë në luftë.

Një komision parlamentar grek ka vlerësuar vlerën e dëmit të luftës të shkaktuar nga Gjermania në vend në 289 miliardë euro (339 miliardë dollarë), duke përfshirë një hua të detyruar që Greqia duhej t’i jepte Bankës Qendrore gjermane gjatë luftës.

Qeveria gjermane e konsideron çështjen e dëmshpërblimeve të zgjidhura nga e ashtuquajtura Marrëveshje Dy Plus Katër, e cila u nënshkrua në 1990, gjatë ribashkimit të Gjermanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb