SHKUP-Greqia pret rezultat pozitiv nga referendumi për emrin në Maqedoni dhe i uron suksese kryeministrit Zaev, deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke, njëkohësisht ministër pa portofol, Dhimitris Xanakopulos.

“Presim dhe shpresojmë në një rezultat pozitiv, sepse konsiderojmë se ky do të jetë hapi i parë dhe vendimtar që Marrëveshja e Prespës të hyjë në fuqi. I dëshirojmë suksese Zaevit dhe presim rezultatin”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, njofton Alsat M.

Xanakopulos shtoi se krahas qëndrimeve dhe pozicioneve të partnerit të koalicionit në qeveri, Panos Kamnenos, Marrëveshja e Prespës do të shkonte në Parlamentin grek dhe do të votohej.

“Kamenos nuk i ka fshehur pozicionet e tij në tetë muajt e fundit pasi u hapën bisedimet ndaj marrëveshjes për emrin e vendit tonë fqinj. Nëse i shihni korrelacionet politike në Parlamentin grek del se për qeverinë tonë nuk ekziston absolutisht kurrfarë rreziku. Marrëveshja edhe do të dorëzohet edhe do të votohet”, tha Xanakopulos.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb