Nga: PETRIT HALITI*
Përplasja gjeoenergjetike dhe gjeopolitike mes Perëndimit dhe Rusisë po merr formën e një pengese të re, që po krijon Greqia për realizimin e gazsjellësit Transadriatik, TAP, i cili ka mbështetjen e BE dhe të SHBA-ve dhe që do të sjellë gazin azer nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë në Itali dhe në Europë. Këtë pengesë po e krijon qeveria e re e kryeministrit Aleks Cipras, me të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 25 janarit të këtij viti. Qëndrimi obstruksionist i qeverisë greke ndaj gazsjellësit TAP po bëhet aq serioz, saqë SHBA dërguan në 8 maj në Athinë të dërguarin e posaçëm për energjinë, Amos Hochstein, për të biseduar me qeverinë greke që të heqë dorë nga vështirësitë dhe problemet, që po krijon artificialisht ndaj gazsjellësit TAP. Pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm grek dhe ministrin grek të Energjisë, i dërguari i posaçëm amerikan, Hochstein, deklaroi në Athinë: “Është e rëndësishme që të fokusohet në projektet që janë në tavolinë sot dhe ky është Transadriatik, TAP. Kjo është në tavolinë për Greqinë sot. Ky gazsjellës është i dakorduar dhe Greqia ka nënshkruar marrëveshjet për të”. Përfaqësuesi amerikan theksoi se projekti i gazsjellësit rus, që mendohet të kalojë nga Turqia nëpër Greqi, Maqedoni, Serbi, Hungari dhe që është pagëzuar me emrat “South Stream 2”, “Turkish Stream” apo “Tesla”, nuk ekziston. “Nuk ka konsorcium për ta ndërtuar atë, nuk ka marrëveshje për ta ndërtuar atë”, tha përfaqësuesi amerikan.
Formalisht Greqia ndodhet përpara dy projekteve, gazsjellësit TAP, të mbështetur nga BE dhe Perëndimi, dhe gazsjellësit “South Stream 2”, të propozuar nga Rusia. TAP do të pakësojë varësinë energjetike të Europës nga gazi rus dhe nga Rusia, kurse gazsjellësi rus “South Stream2” do ta shtojë edhe më shumë këtë varësi. Zyrtarisht Athina nuk ka dalë kundër gazsjellësit TAP, por qeveria e re greke nisi të nxjerrë njërën pengesë pas tjetrës, sapo erdhi në fuqi. Kjo u duk qartë kur qeveria greke nisi të kërkojë rishikimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveritë e mëparshme greke lidhur me gazsjellësin TAP dhe të paraqesë kushte të reja, që nga kërkesa për aksione të qeverisë greke në ndërtimin e pjesës greke të gazsjellësit e deri te pagesa e taksës së tranzitimit pa filluar rrjedhja e gazit azer nëpër gazsjellësin TAP. Ministri grek i Energjisë, Panajotis Llafazanis, ka deklaruar se: “Ne kemi dyshime për kushtet e tranzitimit për gazsjellësin TAP, përsa i përket interesave greke”. Ministria greke e Energjisë ngriti edhe një komitet të posaçëm në muajin mars për të ekzaminuar kushtet e marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveritë e mëparshme greke me konsorciumin, që do të ndërtojë gazsjellësin TAP: Përfaqësues i partisë ANEL, pjesëtare e koalicionit qeveritar në Greqi, deputeti Gavril Avramidis, i deklaroi agjencisë ruse TASS se partia e tij është kundër variantit që ka zgjedhur qeveria e mëparshme e Greqisë për gazsjellësin azerbajxhanas, TAP. Ai theksoi se ANEL ka qenë gjithmonë për gazsjellësin rus “South Stream” dhe mbështet plotësisht projektin e këtij gazsjellësi të ri rus për transmetimin e gazit rus nga Turqia nëpërmjet Greqisë në Europë. Qeveria greke ka hedhur edhe tezën e mundësisë së një ndryshimi të trajektores së gazsjellësit TAP, për shkak të kundërshtimeve, që mund të kenë tani disa komuna në Greqi, gjë që natyrisht komplikon tërë projektin e gazsjellësit TAP:
Kursi i ri i qeverisë greke për të nxjerrë pengesa për ndërtimin e gazsjellësit TAP nuk e ka burimin tek ankesat apo vërejtjet apo kundërshtimet, që qeveria e kryeministrit Cipras ka për kushtet me të cilat kanë nënshkruar marrëveshjet e mëparshme për TAP-in kryeministrat paraardhës grekë. Pretekstet janë me etiketa teknike apo financiare, por në thelbin e tyre ato janë pengesa të karakterit politik dhe shprehin një qëndrim politik të qeverisë re greke, që është i pafavorshëm për realizimin e gazsjellësit TAP: Ndryshimi i qëndrimit të qeverisë greke për gazsjellësin TAP ka habitur shumë qeveri dhe shtete perëndimore dhe joperëndimore. Dhe është një sekret publik se këto pengesa që po nxjerr qeveria e kryeministrit Cipras nuk janë realisht greke, por janë kërkesa ruse. Rusia e ka parë vazhdimisht gazsjellësin TAP si një rival të gazsjellësit rus “South Stream”, i cili do të kalonte nga Bullgaria nëpër Serbi e më tej në Europë. Dështimi për ta realizuar gazsjellësin rus për shkak të kundërshtimit nga BE, sepse gjashtë shtete anëtare të BE, që kishin nënshkruar marrëveshje me Rusinë nuk i kishin përputhur me legjislacionin energjitik të BE dhe as me interesat energjetike të BE, e nxiti Rusinë të dalë me një variant tjetër të gazsjellësit rus, për ta kaluar atë, jo më nga Bullgaria, por nga Turqia. Ardhja në pushtet e partisë komuniste të ekstremit të majtë të Aleks Cipras në Greqi, një parti njohur publikisht për prirjet e saj proruse dhe antiamerikane e antiatlantike, i krijoi Rusisë një hapësirë të re për të krijuar pengesën greke për gazsjellësin TAP. Burime diplomatike në rajon bëjnë të ditur se në fitoren elektorale të partisë Syriza në zgjedhjet e janarit të këtij viti ka kontributin e vet edhe Moska me institucionet e saj të specializuara. Gjatë vizitës së tij në fillim të prillit në Moskë, kryeministri grek shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për ndërtimin e gazsjellësit rus “South Stream 2” nga Greqia në Maqedoni e Serbi.
Rusia shfrytëzoi tre parametra për formësimin e pengesës greke për TAP-in: Së pari, filozofinë dhe kursin prorus të qeverisë së re greke. Së dyti, joshjet ekonomike dhe financiare në drejtim të Greqisë së mbytur në borxhe. Së treti, presionin e drejtpërdrejtë politik dhe diplomatik mbi qeverinë greke për ta detyruar atë që të zhvendosë prioritetin nga gazsjellësi TAP tek gazsjellësi rus “South Stream 2”. Gjatë vizitës së kryeministrit Cipras në Moskë, qeveria ruse hodhi karremin e madh për t’i dhënë Greqisë qysh tani 5 miliardë euro kapar për tranzitimin e gazit rus në gazsjellësin e ardhshëm rus, pavarësisht se ai është ende në letër. Në kushtet e financave të shkatërruara të Greqisë dhe kur këstet e borxheve, që duhet t’u paguajë FMN-së dhe Bankës Qendrore Europiane i a kanë shtrënguar lakun, injeksioni rus i disa miliardave konsiderohet një frymëmarrje, qoftë dhe e përkohshme. Nuk ka shpjegim tjetër veçse presionit, fakti që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i telefonoi kryeministrit Cipras një ditë para se në Athinë të vinte përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë amerikane për energjinë. Presidenti rus i kërkoi Ciprasit rikonfirmimin e gatishmërisë së Athinës për gazsjellësin rus dhe kryeministri grek ia përsëriti gatishmërinë e qeverisë greke. Përveç kësaj, presidenti rus i lëshoi një karrem tjetër qeverisë greke, duke i premtuar se Rusia është e gatshme të financojë kompanitë greke, që do të marrin pjesë në ndërtimin e gazsjellësit rus “South Stream 2” në territorin e Greqisë.
Gazsjellësi rus “South Stream 2” është ende një projekt në letër. Përveçse nuk ka as konsorcium e as marrëveshje të nënshkruar për të, ai nuk ka siguruar akoma as pikënisjen fillestare dhe ende nuk ka zgjidhur tratativat rreth një marrëveshje midis Rusisë dhe Turqisë për ndërtimin e tij në fillim në pjesën turke të Detit të Zi dhe pastaj në territorin turk. Mirëpo Rusia këtë projekt ende në letër e ka si pretekst apo alibi për ta shtyrë Greqinë të distancohet nga gazsjellësi TAP dhe të nxjerrë pengesa për realizimin e tij. TAP konsiderohet si një përpjekje e BE dhe e Perëndimit për të pakësuar varësinë e Europës nga gazi rus dhe nga presioni energjitik dhe politik i Rusisë. Siç theksoi edhe përfaqësuesi amerikan, Amos Hochstein, në Athinë, gazsjellësi rus “nuk është një projekt ekonomik, por është vetëm projekt politik”. Në këtë kuadër, Moska po projekton Greqinë si bllok apo pengesë e ndërtimit të gazsjellësit TAP. Kjo nuk është thjesht hakmarrje e Moskës dhe e presidentit Putin ndaj BE, e cila bllokoi ndërtimin e gazsjellësit “South Stream 1” nga Bullgaria. Është një strategji e Rusisë për të sabotuar ndërtimin e Korridorit Jugor të Gazit, i cili përbën strategjinë e BE për të furnizuar Europën me burime gazi jorus, duke kaluar nga Europa Juglindore. Intensifikimi i përpjekjeve ruse për të ringjallur projektin “South Stream” lidhet edhe me ashpërsimin e përplasjes gjeopolitike Perëndim-Rusi për Ukrainën, ku Moska e ka humbur influencën në Kiev dhe kërkon me çdo kusht të mënjanojë kalimin e gazit rus për në Europë nga Ukraina dhe ta bëjë nga Greqia.
Strategjia ruse ka pasur sukses dhe Athina po shfaqet si një pengesë serioze për jetësimin e gazsjellësit europian TAP. Në qarqet diplomatike po flitet gjithnjë e më dendur për planet e qeverisë së kryeministrit Cipras për të braktisur gazsjellësin TAP. Gazeta shtetërore ruse “Russia Today” shkruante në 8 maj se “Uashingtoni po nxit Athinën të mos braktisë projektin TAP, të mbështetur nga Perëndimi, në favor të gazsjellësit ‘Turkish Stream’, të propozuar nga Rusia”. Është e kuptueshme se Greqia do të humbiste shumë nga një tërheqje e saj prej gazsjellësit TAP. Së pari, do të humbasë në planin strategjik dhe gjeopolitik, sepse do të konfirmojë zhvendosjen e boshtit të saj nga aleanca perëndimore dhe euroatlantike në aleancën me Rusinë. Së dyti, do të humbasë në planin rajonal, sepse heqja dorë nga gazsjellësi ndërkombëtar TAP do të pakësonte rolin dhe peshën e Athinës në Europën Juglindore, ku të gjithë shtetet ose janë anëtarë ose janë kandidatë për në Bashkimin Europian. Së treti, do të humbasë edhe në planin ekonomik, sepse ndërtimi i pjesës greke të gazsjellësit TAP do të sjellë 1,5 miliardë euro investime të reja në territorin grek dhe do të gjenerojë 10 mijë vende pune, përveç taksës së madhe të tranzitimit, që do të fitojë shteti grek nga kalimi i gazit azer.
Teoria se qeveria e kryeministrit Aleks Cipras po luan kartën ruse për t’i bërë presion BE që t’i shtyjë afatet e pagesave apo t’i falë borxhet Greqisë, nuk duket shumë bindëse dhe qarkullon më tepër nga synimi për të mbuluar disi prirjen reale të qeverisë së re greke për t’u lidhur gjithnjë e më ngushtë me Rusinë. Qeveria e ekstremit të majtë e Aleks Ciprasit nuk mund të shndërrohet nga komuniste ekstreme në kapitaliste shembullore brenda ditës, me gjithë aksiomën e njohur politike se partitë sillen ndryshe kur vijnë në pushtet. Dhe që partia Syriza dhe qeveria Syriza janë njëlloj, e konfirmoi njëri nga ministrat dhe politikanët më influentë të kësaj partie dhe qeverie, ministri i Energjisë, Panajotis Llafazanis, në një editorial të botuar në revistën greke “Crash”, në datën 29 prill 2015, ku shkruan: “Qendrat e pushtetshme në Berlin, Bruksel dhe FMN kërkojnë nga Greqia nënshtrim dhe dorëzim. Greqia e Syrizas do të ndalojë së qëni një truall amerikano-atlantik, një çiflig gjerman apo një shtet satelit i aksit amerikano-izraelit të Lindjes së Mesme dhe nuk është një vend që ofrohet për shitje”. Brezat që kanë jetuar periudhën e regjimit komunist, e kuptojnë se kujt i ngjajnë këto fjalime.
Syriza dhe kryeministri grek janë në gjenezën, në fizionominë dhe në filozofinë e tyre, subjekte politike të prirura drejt Rusisë dhe në një mënyrë apo tjetër do të kërkojnë dhe do të përpiqen të dobësojnë hallkat dhe mekanizmat, që e lidhin Greqinë me detyrimet dhe statutet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Ndryshimet e qëndrimeve energjetike të qeverisë greke dhe kursi për të bllokuar gazsjellësin TAP mund të provokojnë disa konfigurime të reja në marrëdhëniet dhe në raportet energjetike dhe strategjike në Europën Juglindore. Këtu nuk është çështja vetëm se Greqia mund të heq dorë nga memorandumi trepalësh i mirëkuptimit dhe nga marrëveshja trepalëshe, që ka nënshkruar me Shqipërinë dhe me Italinë për ndërtimin e gazsjellësit TAP: Çështja është se Greqia po shfaqet si një pengesë ruse jo vetëm e gazsjellësit TAP, por edhe e rrymës së fuqishme të ecjes së Ballkanit drejt komunitetit euroatlantik. Sepse “forma e re e rajonit dhe e Europës”, që ministri grek i Energjisë e lavdëroi dhe e paralajmëroi si një produkt i gazsjellësit të ri rus, nuk mund të jetë tjetër veçse përpjekje për një formë ruse të rajonit dhe të Europës.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: